Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot një plan të ri masash ligjore dhe investimesh në kuadër të Reformës për Trajtimin e Integruar të Mbetjeve, gjatë një aktiviteti të posaçëm të mbajtur në Tiranë.
Në fokus të kësaj reforme qëndron ngritja e një operatori kombëtar për menaxhimin e mbetjeve, në funksion të përafrimit me standardet dhe direktivat e Bashkimit Europian, një hap kyç në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit.
Kryeministri theksoi domosdoshmërinë për rishikimin e strategjive për tarifat, riciklimin dhe përmirësimin e sistemit aktual, duke pranuar se vendi ende përballet me sfida serioze, veçanërisht në ndarjen e mbetjeve dhe eliminimin e praktikave të paligjshme si “varrezat e makinave”.
“Së shpejti do të kemi një operator kombëtar për mbetjet. Trajtimi i mbetjeve nuk do te jetë më një proces i administruar nga bashkitë, por nga ky operator. Një tjetër sfidë është përafrimi i direktivave me Bashkimin Europian. Por, nëse pastrim kemi bërë përparime të dukshme, nëse në mbajtjen pastër të vendit dhe të plazheve sidomos gjatë sezonit, dhe në trajtimin e mbetjeve kemi bërë përparime domethënëse, jemi në një situatë tërësisht primitive në ndarjen e mbetjeve, në përgjegjësinë e përdoruesve. Jemi besoj i vetmi vend në Europë, që varrezat e makinave i kemi të ligjëruara pa ligj, dhe ky do të jetë një operacion që sapo ka nisur dhe do të vazhdojë për shkuljen e këtyre varrezave. Një tjetër nevojë e krijuar është rishikimi i strategjive dhe masterplanit për tarifat dhe riciklimin sipas standardeve të Bashkimit Europian”, tha kryeministri Rama.