Imagjinoni të ecni mes robotësh që luajnë shah, përgatisin ushqim apo ju përshëndesin me zë të ngrohtë, ndërsa një kopje robotike e Albert Ajnshtajnit ju vështron me buzëqeshje. Kjo nuk është skenë nga një film fantastiko-shkencor, por realiteti i ri në zemër të Pekinit.
Robot Mall, dyqani më i ri dhe më inovativ në kryeqytetin kinez, hapi dyert të premten, duke ofruar më shumë se 100 lloje robotësh për të gjitha shijet dhe nevojat nga ndihmës shtëpiakë inteligjentë, deri te robotë që imitojnë figura të famshme të historisë.Dyqani është krahasuar me një koncesionar makinash, pasi ofron jo vetëm shitje, por edhe pjesë këmbimi dhe shërbime mirëmbajtjeje për robotët.
“Kina ka investuar fuqishëm në industrinë e robotikës dhe inteligjencës artificiale, në përpjekje për të përballuar sfida si rënia e ritmit të rritjes ekonomike dhe plakja e popullsisë,” tha për mediat e huaja drejtori i dyqanit, Wang Yifan. Sipas tij, “nëse robotët do të bëhen pjesë e mijëra familjeve, nuk mjafton vetëm kontributi i kompanive robotike”.
Çmimet e robotëve variojnë nga 2 mijë juanë (rreth 278 dollarë amerikanë) deri në disa milionë juanë. Vizitorët mund të ndërveprojnë me një shumëllojshmëri robotësh, përfshirë robotë në formë qenësh apo lojtarë shahu.
Një pjesë e veçantë e dyqanit i dedikohet pjesëve të këmbimit dhe shërbimeve teknike për mirëmbajtjen e robotëve. Robot Mall ndodhet pranë një restoranti tematik, ku klientët shërbehen nga robotë dhe ushqimi përgatitet nga kuzhinierë mekanikë.
Kina e ka vënë industrinë e robotikës në qendër të politikave të saj zhvillimore. Vetëm gjatë vitit të fundit, subvencionet për këtë sektor kanë kapur vlerën e mbi 20 miliardë dollarëve. Qeveria kineze po planifikon gjithashtu krijimin e një fondi prej 1 trilion juanësh për të mbështetur start-up-et në fushën e robotikës dhe inteligjencës artificiale.
Hapja e Robot Mall përkon me fillimin e Konferencës Botërore të Robotëve, e cila nisi të premten në Pekin dhe do të zgjasë pesë ditë. Sipas mediave shtetërore kineze, këtë vit në aktivitet pritet të ekspozohen mbi 1,500 produkte nga më shumë se 200 kompani vendase dhe të huaja.
Ndërkohë, Pekini po përgatitet të presë Lojërat e Para Botërore të Robotëve Humanoidë, që do të zhvillohen nga 14 deri më 17 gusht, me pjesëmarrjen e ekipeve nga mbi 20 vende, të cilët do të konkurrojnë në disiplina si atletikë, vallëzim dhe futboll.