Një samit i shumëpërfolur mes presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe presidentit rus Vladimir Putin, pritet të zhvillohet javën e ardhshme, por vendndodhja e tij mbetet ende e paqartë dhe e debatueshme mes mediave perëndimore dhe atyre ruse.
Sipas medias amerikane Fox News, takimi mund të ndodhë që të hënën e ardhshme, me Romën si një nga kandidaturat kryesore për të mirëpritur dy liderët botërorë. Dy burime të afërta me procesin e negociatave i thanë rrjetit amerikan se Italia është një nga opsionet më serioze, edhe nëse takimi do të shtyhet për fundjavën.
Fox News thotë se vendet evropiane mbeten favoritë, por në diskutim janë edhe alternativa jashtë kontinentit të vjetër.
Por agjencia shtetërore ruse Tass ka hedhur poshtë menjëherë spekulimet për Romën. Sipas një burimi të cituar nga Tass, “takimi mes Putin dhe Trump nuk do të mbahet në një vend evropian”, duke e përjashtuar kështu Italinë dhe vendet e tjera të BE-së nga lista e pritësve të mundshëm.
Burimi nuk dha detaje mbi vendin alternativ, por shtoi se diskutimet janë ende në zhvillim, ndërsa protokollet e sigurisë dhe logjistika mbeten çështje kyçe në vendimmarrje.
Takimi mes dy liderëve pritet të fokusohet në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe në tensionet gjithnjë në rritje midis Perëndimit dhe Moskës. Sidoqoftë, mungesa e transparencës mbi vendin dhe datën zyrtare e mbajnë ende të paqartë agjendën e samitit.