Një gazetar ukrainas, i mbajtur në mënyrë sekrete nga Rusia për më shumë se tre vjet, është liruar të dielën si pjesë e një shkëmbimi të fundit të të burgosurve mes Moskës dhe Kievit.
Dmytro Khilyuk, 50 vjeç, ishte ndër mijëra civilë ukrainas të ndaluar në mënyrë të paligjshme nga Rusia, një veprim që bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare.

Për më shumë se tre vjet, prindërit e moshuar të Khilyuk nuk kishin asnjë informacion për vendndodhjen e tij. Megjithatë, ata nuk u dorëzuan: morën pjesë në protesta, takime me politikanë në Ukrainë dhe jashtë saj, dhe i dërguan letra pa pushim autoriteteve ruse duke kërkuar lirimin e tij.

Në një video të publikuar nga autoritetet ukrainase pas shkëmbimit të të burgosurve, Dmytro u pa duke telefonuar nënën e tij sapo kalon kufirin:

“E dija që të kam munguar dhe që je shqetësuar për mua. Mami, mos qaj… Do të jem në shtëpi së shpejti,” dëgjohet ai duke i thënë.
Khilyuk dhe babai i tij, Vasyl, u arrestuan nga trupat ruse ndërsa përpiqeshin të merrnin furnizime bazë gjatë pushtimit të fshatit të tyre, Kozarovychi, në veri të Kievit. Babai i tij u lirua pas disa ditësh, por Dmytro u zhduk pa lënë gjurmë.

Rusia e mohonte vazhdimisht se po e mbante, pavarësisht dëshmive nga të burgosur të tjerë që konfirmonin praninë e tij në burgje ruse. Zyra e Hetimeve dhe Shërbimi i Burgjeve në Bryansk njoftuan zyrtarisht avokatin e familjes në fund të vitit 2022 dhe fillim të 2023 se “nuk kishin asnjë informacion për të”.
CNN vizitoi prindërit e Khilyuk në vitin 2024, pak pasi Moska më në fund pranoi se ai ishte në paraburgim. E vetmja dëshmi që prindërit kishin nga Dmytro ishte një letër e shkurtër me dorë, e datës prill 2022, ku ai shkruante se ishte “gjallë dhe mirë” – letër që e morën vetëm në gusht.

Sipas avokatit të tij, Khilyuk nuk u akuzua kurrë për asnjë krim dhe nuk u dërgua në gjykatë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi lirimin e Khilyuk në një postim në Telegram, duke ndarë edhe foto të grupit të liruar. Ai ishte një nga tetë civilët e liruar bashkë me ushtarë dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë. Sipas zyrës ukrainase për trajtimin e të burgosurve të luftës, pothuajse të gjithë kishin kaluar më shumë se tre vite në robëri.
Rusia tha se 146 ushtarë rusë u kthyen në këmbim të 146 të burgosurve ukrainas, dhe se tetë civilë rusë nga rajoni i Kurskut u përfshinë gjithashtu në shkëmbim.