Mbi gjashtë milionë raste të reja me kancer pritet të diagnostikohen në Angli deri në vitin 2040, paralajmëron një koalicion prej më shumë se 60 organizatash bamirëse, të bashkuara nën emrin One Cancer Voice. Ky numër i lartë do të thotë një diagnozë çdo dy minuta, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitet 1970, kur diagnostikohej një rast çdo katër minuta.

Analiza e publikuar nga koalicioni, e bazuar kryesisht në të dhëna para-pandemike, tregon se rastet me kancer do të rriten me 14.2% në 15 vitet e ardhshme, ndërsa disa nga llojet më të zakonshme të kancerit do të arrijnë nivele rekord. Vetëm kanceri i prostatës pritet të regjistrojë mbi një milion raste të reja, ndërsa kanceri i gjirit më shumë se 900,000 raste deri në vitin 2040.

Koalicioni po i bën thirrje qeverisë që të ndërmarrë masa të menjëhershme, ndërsa pritet që në vjeshtën e këtij viti, qeveria britanike të publikojë Planin Kombëtar të Kancerit.