GJKKO ka mbajtur seancën e lajmëruar për ditën e sotme, për shqyrtimin e kërkesës së përfaqësuesve ligjorë të presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Meta, për zëvendësimin e masës së sigurisë.

Gjykata e Posaçme nuk mori vendim, pasi gjyqtari Erjon Bani ka shpallur moskompetencën për të vendosur në lidhje me zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për Ilir Metën, që ka kërkuar lirinë dhe zëvendësimin me një masë më të lehtë.

Shpallja e moskompetencës u bë pas kërkesës së avokatit Kujtim Cakrani, për shkak se Erjon Bani nuk ka qenë gjyqtari i çështjes së Ilir Metës, por ka qenë i gatshëm.

Kërkesa për zëvendësim mase u paraqit nga avokatët e Metës më 6 gusht, ku sipas këtyre të fundit tashmë nuk ekziston më mundësia që Ilir Meta mund të prishë provat, për shkak se hetimi është mbyllur dhe dosja ka kaluar për gjykim.
Ilir Meta nuk ishte i pranishëm në seancë. Mungonin edhe tre prokurorët e çështjes Altin Dumani, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi.
Seanca në GJKKO u shty për javën tjetër.