Në Gaza, edhe në moshën 30-vjeçare, njerëzit ndihen të detyruar të shkruajnë testamente, sidomos ata që punojnë në profesione të rrezikshme si gazetaria. Një prej tyre ishte Mariam Abu Dagga, një gazetare 33-vjeçare e pavarur dhe bashkëpunëtore e disa mediave ndërkombëtare, përfshirë Associated Press. Para se të ndahej nga djali i saj 12-vjeçar, të cilin lufta e detyroi të evakuohej jashtë Gazës, Mariam i la një letër prekëse një testament shpirtëror, ku i kërkonte të ishte i fortë, të studionte dhe të bëhej një njeri i vlefshëm. Ajo i kërkoi që, kur të rritej e të kishte një vajzë, t’i vinte emrin e saj: Mariam.
Mariam tregonte realitetin e dhimbshëm të Gazës nëpërmjet postimeve në rrjete sociale. Ajo u vra nga një tank izraelit pranë Spitalit Nasser, ku shkonte çdo ditë për të dokumentuar historitë e fëmijëve të kequshqyer. Ishte një nga vendet e pakta ku kishte sinjal telefoni shkallët e jashtme të spitalit dhe aty punonte me përkushtim, deri në momentin e fundit të jetës së saj.
Në të njëjtin sulm humbën jetën edhe pesë gazetarë të tjerë. Kameramani i Reuters, Hussam al-Masri, u vra gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë, pa e ditur se po filmonte momentin e vdekjes së tij. Ai ishte i pari që u godit nga predha; të tjerët u vranë pak më pas nga një sulm i dytë. Reuters reagoi duke kërkuar sqarime urgjente për vrasjen e bashkëpunëtorëve të saj.
Një tjetër viktimë ishte Moaz Abu Taha, fotoreporter i pavarur. Përveç punës së tij si gazetar, ai njihej për ndihmën që u ofronte familjeve të pacientëve në spitale. Pediatri Ahmad al Farra kujton se Moaz shpesh blinte qumësht apo ushqime për fëmijët. Në mesazhin e fundit që i kishte dërguar, i shkruante: “Doktor, bleva disa biskota për t’i sjellë nesër te fëmijët e repartit tënd.” Por nuk arriti dot t’i çonte, sepse u vra.
Po ashtu, në sulm humbi jetën edhe Mohammed Salama, kameraman i Al Jazeera, i cili ishte i fejuar dhe planifikonte të martohej pasi të arrihej një armëpushim. Ai nuk e pati këtë mundësi. Al Jazeera e dënoi ashpër vrasjen, duke e quajtur një tjetër krim të kryer nga forcat e okupimit ndaj gazetarëve të saj.
Viktima tjetër ishte Ahmed Abu Aziz, që punonte për Quds Feed Network dhe Middle East Eye. Ai ishte një zë i rëndësishëm në dokumentimin e ngjarjeve në terren.
Ndërsa në një sulm të ndarë në Mawasi, u vra Hassan Douhan, akademik dhe gazetar për mediat Al-Hayat dhe Al-Jadida, duke e çuar në gjashtë numrin total të gazetarëve të vrarë atë ditë.
Kjo ngjarje shënon një nga ditët më të errëta për lirinë e shtypit në Gaza. Gazetarët, të cilët përpiqen të tregojnë të vërtetën në kushte ekstreme dhe nën kërcënimin e përhershëm të vdekjes, po bëhen gjithnjë e më shpesh viktima të drejtpërdrejta të luftimeve. Spitalet dhe vendet që dikur konsideroheshin të sigurta, nuk po kursehen më.