Ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zhvillonte një takim të rëndësishëm me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, presidenti rus Vladimir Putin nuk qëndroi duarkryq.
Kreu i Kremlinit zhvilloi biseda telefonike me presidentët e Indisë, Brazilit dhe Afrikës së Jugut, në një përpjekje për të forcuar lidhjet me vendet aleate të BRICS dhe për të treguar se Rusia nuk është e izoluar në skenën ndërkombëtare.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se “procesi i paqes do të jetë i gjatë”, por paralajmërimet ruse u bënë më të ashpra përmes zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova. Ajo kritikoi ashpër praninë e trupave të huaja në Ukrainë dhe akuzoi Britaninë e Madhe se po “shtyn NATO-n drejt një konflikti global”, duke e cilësuar Londrën si aktorin më provokues në Perëndim.

“Londra, e fiksuar pas përshkallëzimit të konfliktit, po përpiqet të sabotojë përpjekjet e dialogut mes Moskës dhe Uashingtonit, duke e shtyrë NATO-n drejt një humne të rrezikshme”, deklaroi Zakharova.

Ndërkohë, në mediat shtetërore ruse u duk qartë triumfalizmi. Talk show-t dhe edicionet informative të mbrëmjes ironizuan liderët evropianë dhe përçuan mesazhin se Rusia tashmë ka fituar – ndërsa Europa, sipas tyre, është palë humbëse në këtë konflikt. “E gjithë koalicioni luftënxitës evropian fluturoi me Zelensky-n në Uashington, por as ndihma e tyre nuk e shpëtoi nga qortimet”, thuhet në një raportim të kanalit të parë rus.

Një tjetër komentator rus e krahasoi BE-në me një “plakë të përkulur që mezi ngre dorën”, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron u quajt “gorilla franceze”. Analistët rusë janë të bindur se takimi në Shtëpinë e Bardhë shënon fundin e afërt të luftës në Ukrainë.

Megjithatë, ndonëse retorika zyrtare është agresive dhe e sigurt, në ajër ndihet një lloj pasigurie. Tema si “denazifikimi” dhe “demilitarizimi” – dikur të zakonshme në fjalorin e Kremlinit – kanë zhdukur nga diskursi publik. Rusia thotë se ka fituar, por mbetet për t’u parë nëse bota do të pajtohet me këtë version.