Gazetari dhe analisti i njohur në median shqiptare Artur Zheji do të përcillet për në banesën e fundit të hënën. Homazhet do të mbahen në Akademinë e Arteve nga ora 10 deri në 12 dhe më pas do të përcillet në banesën e fundit pranë varrezave të Tufinës.
Ai u nda nga jeta ne menyre te papritur ne moshen 64 vjecare. Ndërsa ishte duke drekuar me familjen në një restorant në Sarandë. Dyshohet se u godit nga një arrest kardiak. Zheji është transportuar me autoambulancë drejt urgjencës së spitalit të Sarandës, por mjeket konfirmuan se ka arritur aty pa jetë.
Artur Zheji ka një kontribut të gjatë si gazetar dhe opinionist në mediat shqiptare.
Prej shkurtit 2024 dhe deri në fund të muajit korrik të këtij viti, kur pati programin e fundit, ai drejtoi emisionin “360 gradë” në televizionin ABC News, një tryezë debati dhe analize për cështjet e ditës, zhvillime të rëndësishme të politikës dhe aktualitetit shqiptar si dhe për ngjarje të arenës ndërkombëtare.
Më herët Artur Zheji ka drejtuar emisione edhe në televizione të tjera shqiptare apo ka qenë pjesë e paneleve të analistëve në studio televizive. Po ashtu Zheji për shume vite ka shkruar si gazetar e publicist në gazeta dhe media online si dhe ka mbajtur poste drejtuese në media.
Artur Zheji ishte djali i përkthyesit dhe shkrimtarit të njohur Petro Zheji dhe aktores Besa Imami.