Mbyllja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) po shkakton tronditje serioze në sistemet shëndetësore të vendeve në zhvillim, teksa ekspertët paralajmërojnë se ndikimet e kësaj lëvizjeje mund të jenë fatale për miliona njerëz deri në fund të kësaj dekade.

Sipas një raporti të publikuar nga revista mjekësore The Lancet, ndihma ndërkombëtare e USAID ka kontribuar në shpëtimin e mbi 92 milionë jetëve gjatë 20 viteve të fundit, përmes programeve që luftojnë HIV/AIDS-in, malarien dhe sëmundjet infektive tek fëmijët. Por, ky progres është vënë në rrezik serioz pas vendimit të administratës së ish-presidentit Donald Trump për të ndërprerë deri në 80% të ndihmës humanitare ndërkombëtare, përmes një strukture të re të quajtur “Department of Government Efficiency” (DOGE).

Pasojat e këtij vendimi tashmë janë të dukshme në terren. Në Eswatini, një prej vendeve më të goditura, spitalet po mbyllen, furnizimet mjekësore janë drejt shterimit, dhe programet e parandalimit të HIV-it janë reduktuar në mënyrë drastike. Spitali “Miracle Campus”, dikur qendër shëndetësore model që trajtonte mbi 300 mijë pacientë në vit, sot ndodhet pranë mbylljes për shkak të mungesës së fondeve.
Zyrtarë të USAID dhe ekspertë të shëndetit publik në nivel ndërkombëtar shprehen se mungesa e financimit mund të rikthejë sëmundje të rrezikshme në forma më agresive dhe të pamenaxhueshme. Ata paralajmërojnë se vendet me burime të kufizuara nuk kanë kapacitetet e nevojshme për të përballuar një krizë të tillë shëndetësore.

“Ndërprerja e ndihmës nuk është vetëm një akt politik është një çështje që ndan jetën nga vdekja për miliona njerëz,” thuhet në raportin e The Lancet.

Aktualisht, Kongresi amerikan po shqyrton mundësinë e rivendosjes së një pjese të financimeve për programin PEPFAR një nga iniciativat më të suksesshme të USAID në luftën kundër HIV/AIDS, por mbështetja për programet e tjera shëndetësore mbetet e paqartë.

Ndërkohë, mijëra punonjës humanitarë janë detyruar të braktisin terrenin, dhe tonelata me pajisje e medikamente qëndrojnë të bllokuara në magazina, pa mundësi shpërndarjeje tek ata që kanë më shumë nevojë.