Ministri i Jashtëm i Danimarkës ka thirrur diplomatin më të lartë amerikan në Kopenhagë, pas një raporti se qytetarë amerikanë kanë kryer operacione të fshehta në Groenlandë.
Sipas transmetuesit publik danez DR, burime të cituara kanë thënë se qëllimi ishte të depërtohej në shoqërinë atje dhe të promovohej shkëputja e saj nga Danimarka për t’iu bashkuar SHBA-ve, megjithëse nuk është sqaruar për kë punonin këta persona.
Shërbimi i inteligjencës daneze ka paralajmëruar se Groenlanda po bëhet objektiv i “llojeve të ndryshme të fushatave të ndikimit”.
Ministri i Jashtëm Lars Løkke Rasmussen deklaroi se “çdo përpjekje për të ndërhyrë në punët e brendshme të Mbretërisë [së Danimarkës] do të jetë, sigurisht, e papranueshme” dhe se, për këtë arsye, është thirrur i ngarkuari me punë i SHBA-ve”.
Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur disa herë dëshirën për të aneksuar Groenlandën, një pjesë autonome e Mbretërisë së Danimarkës, ndërsa zëvendëspresidenti JD Vance ka akuzuar Kopenhagën për mosinvestim të mjaftueshëm në territor.
Gjatë një vizite në Groenlandë disa muaj më parë, kryeministrja daneze Mette Frederiksen paralajmëroi SHBA-në se “nuk mund të aneksoni një vend tjetër”.
Në një deklaratë për BBC-në, Rasmussen tha se qeveria është “në dijeni që aktorë të huaj vazhdojnë të tregojnë interes për Groenlandën dhe pozitën e saj në Mbretërinë e Danimarkës” dhe se “nuk do të ishte befasuese nëse do të përjetonim përpjekje të jashtme për të ndikuar në të ardhmen e Mbretërisë në të ardhmen e afërt”.
Danimarka është anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe i ka konsideruar prej kohësh SHBA-të si një nga aleatët më të ngushtë, ndërsa danezët janë tronditur nga vendosmëria e Trump-it për të kontrolluar territorin gjysmë-autonom. Presidenti amerikan ka thënë këtë vit se nuk e përjashton mundësinë e marrjes së tij me forcë.
Shërbimi danez i sigurisë dhe inteligjencës PET ka vlerësuar se fushatat e ndikimit synojnë të “krijojnë përçarje në marrëdhëniet mes Danimarkës dhe Groenlandën”, duke shfrytëzuar “mosmarrëveshje ekzistuese ose të sajuara”, qoftë përmes “agjentëve tradicionalë të ndikimit fizik apo përmes dezinformimit”. PET ka shtuar se ka forcuar praninë e tij në Groenlandë dhe bashkëpunimin me autoritetet vendase.
Aktualisht, SHBA-të nuk kanë ambasador në Kopenhagë, ndaj Rasmussen ka thirrur Mark Stroh, i cili si i ngarkuar me punë është diplomati më i lartë në kryeqytetin danez.
Rasmussen e ka thirrur tashmë ambasadorin amerikan në Danimarkë edhe më herët këtë vit, pas një raporti të veçantë në maj që sugjeronte se agjencitë amerikane të spiunazhit ishin udhëzuar të përqendronin përpjekjet e tyre në Groenlandë.
Raporti i DR-së të mërkurën dha detaje për një vizitë të një amerikani në kryeqytetin e Groenlandës, Nuuk, ku ai kërkonte të hartonte një listë të groenlandezëve që mbështesnin përpjekjet amerikane për të marrë ishullin. Qëllimi, sipas DR-së, ishte rekrutimi i tyre për një lëvizje shkëputjeje.
Raporti i mëparshëm i majit nga Wall Street Journal përmendte gjithashtu mbledhjen e informacionit mbi lëvizjen për pavarësinë e Groenlandës, si dhe qëndrimet ndaj shfrytëzimit të mineraleve nga amerikanët. Në atë kohë, Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, Tulsi Gabbard, nuk e mohoi raportin, por akuzoi Wall Street Journal për “shkelje të ligjit dhe minimin e sigurisë dhe demokracisë së vendit tonë”.