Tashmë kur duhen pak më shumë se 2 javë nga konstituimi i parlamentit deputetët e rinj bëhen gati të marrin detyrën e ligjvënësit. Strategjia e Edi Ramës për të riformatuar thuajse tërësisht grupin parlamentar, ka marrë formë tashmë me 53 deputetë që hyjnë për herë të parë në parlament nga 83 ligjvënës që do të përbëjnë grupin. Ndërkohë demokratët vijnë me emra të vjetër dhe rikthime.
Ndryshe nga socialistët, për demokratët trupa e re e deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 11 majit dominohet nga emra që në parlament nuk ulen për herë të parë. Rishtazi vijnë vetëm 14 emra, që gjithsesi në politikë nuk janë të panjohur.
PS me listën më të re në Kuvend, kush janë emrat e nga vijnë?
Kufizimi i Edi Ramës që në listat e mbyllura të zgjedhjeve të 11 majit, të mos kishte deputetë me më shumë se 1 mandat i la dorë të lirë atij të përfshinte emra të rinj, për parlamentin e ardhshëm. Janë 30 që kanë dalë nga këto lista, ndërsa 23 të tjerë, ia dolën vetë pasi luftuan në garë të hapur për të siguruar ulësen e tyre. Por jo të gjithë janë emra të panjohur në skenën politike. Madje politika, ka ushqyer dhe pjesën më të madhe të këtij brezi të parlamentarësh.
Shumë prej tyre ministra e zv/ministra, kryetar e nënkryetar bashkish apo drejtorë të niveleve të ndryshme të qeverisjes vendore e qendrore. 9 nga deputetët e ardhshëm janë pjesë e kabinetit aktual të Edi Ramës, si ministrat Petrit Malaj, Pirro Vëngu, Ervin Hoxha, Blendi Gonxhja apo edhe dy zëvendës ministra. Pjesa më e madhe të pa sprovuar në terrene zgjedhore.
Pushteti vendor ka shërbyer po ashtu si një tjetër burim furnizimesh, duke i dhënë parlamentit 3 kryetar bashkish. Ervin Demo, Tërmet Peci dhe Agron Malaj i bashkohen parlamentit si deputetë. Pjesa tjetër janë nënkryetarë si dhe kryetarja e këshillit bashkiak të Tiranës, Romina Kuko, të cilës iu rezervua një vend i sigurt në listën e Korçës.
Të tjerë, me eksperiencë të gjatë në administratën publike në nivele të larta, tre prej të cilëve janë drejtorët aktualë të spitaleve rajonale të Vlorës, Elbasanit dhe Durrësit. Platforma “Deputeti që duam” nxori po ashtu emra që arritën të fitonin vendin në parlamentin e ri, me Sara Milën kandidaten më të votuar të Elbasanit, Zegjinë Caushin në Fier dhe Marjana Koçekun, neomalësoren që kryesoi listën e Shkodrës.
Të pa sprovuar më parë me politikën dhe 4 deputetë të tjerë të rinj që vijnë në nga bota e biznesit si Vasil Llajo, Bujar Rexha, Admir Kadeli dhe Skënder Pashaj. Mozaikut të profesioneve në parlament i shtohen mjekë, pedagogë, agronomë, inxhinierë e deri tek shkrimtarë. Por është koha ajo që do të tregojë nëse ky mozaik do të përkthehet në ide të reja, përfaqësim më të ndershëm dhe vendimmarrje më cilësore.
Kryetarë dhe Nënkryetarë në bashkitë e vendit
Ervin Demo – Kryetar i Bashkisë së Beratit
Agron Malaj – Kryetar i Bashkisë së Matit
Tërmet Peci – Kryetar i Bashkisë së Tepelenës
Aulona Bylykbashi – Nënkryetare e Bashkisë Elbasan
Elton Korreshi – ish-Nënkryetar i Bashkisë Lushnje
Genti Lakollari – Nënkryetar i Bashkisë Devoll
Bledi Çomo – Nënkryetar i Bashkisë Pogradec
Besa Spaho – ish-Nënkryetare e Bashkisë Korçë
Onid Bejleri – Nënkryetar i Bashkisë Shkodër
Romina Kuko – Kryetare e Këshillit Bashkiak Tiranë
Ministër / Zëvendësministër
Arbjan Mazniku – Ministër për Pushtetin Vendor
Bora Muzhaqi – Ministre e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët
Petrit Malaj – Ministër i Financave
Pirro Vengu – Ministër
Adea Pirdeni – Ministre
Albana Koçiu – Ministre
Igli Hasani – Ministër
Delina Ibrahimaj – Ministre
Ervin Hoxha – Ministër
Ceno Klosi – Zëvendësministër i Energjisë
Ilva Gjuzi – Zëvendësministre e Turizmit
Drejtorë të pushtetit vendor e qendror
Ani Dyrmishi – Drejtor i Spitalit Rajonal të Durrësit
Agron Gaxho – Drejtor i Spitalit Rajonal të Elbasanit
Brunilda Mersini – Drejtoreshë e Spitalit Rajonal, Vlorë
Ermal Pacaj – Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës
Olsi Komici – Drejtor i AKU-së
Adi Qose – Drejtor i Kadastrës së Elbasanit
Klevis Jahaj – Drejtor i AKUK-së
Ardit Bido – Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave
Etleva Budini – Ish-Drejtoreshë e Postës Shqiptare, Durrës
“Deputeti që Duam” Platforma
Kiduina Zaka – Psikologe
Erjo Mile – Pedagog
Zegjine Caushi – Juriste
Adnan Kadeli – Biznesmen
Marjana Koceku – Sipërmarrëse
Xhenis Çela – Menaxhere në sektorin e turizmit
Erion Malaj – Jurist
Sara Mila – Drejtoreshë në Shërbimin Social Shtetëror
Biznesmenë
Adnan Kadeli – Biznesmen
Skënder Pashaj – Sipërmarrës
Bujar Rexha – Biznesmen
Vasil Llajo – Mjek dhe Biznesmen
Profesione të tjera
Alma Selami – Arsimtare
Ana Nako – Arsimtare
Enriketa Jaho – Mjeke
Asfloral Haxhiu – Mjek
Dhimitër Kurti – Agronom
Piro Dhima – Pedagog
Zamira Sinaj – Pedagoge
Iris Luarasi – Pedagoge
Hysen Buzali – Infermier
Loer Kume – Shkrimtar
Ermal Elezi – Inxhinier
Erjona Ismaili – Gazetare
Kush janë deputetët për herë të parë të PD-së në Kuvend? Vetëm 14 prej tyre risi
Nga 50 mandate që Partia Demokratike dhe aleatët e saj arritën të fitonin nga beteja elektorale e 11 majit, vetëm 14 prej tyre ulen për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë. Pjesa dërrmuese e grupit parlamentar opozitar në legjislaturën e ardhshme janë ose të rikthyer, ose të rikonfirmuar për një mandat të radhës.
Megjithatë, edhe në mesin e këtyre 14 emrave të rinj, jo të gjithë janë rishtazi në politikë, pasi pjesa më e madhe e tyre prej vitesh janë të angazhuar ose te Partia Demokratike ose te aleatët që i propozuan.
2 që spikatin në këtë 14-she, Gjin Gjoni deputet i zgjedhur i Lezhës dhe Arjan Ndoj i zgjedhur në Durrës nga radhët e demokratëve, janë figura që vijnë nga sistemi i drejtësisë. Me ngeljen në klasë në zbatimin e ligjit, transferohen në karriget e ligjbërësve.
Ish-gjyqtari Gjin Gjoni u largua nga sistemi i drejtësisë pasi shmangu Vettingun ndërsa ish-prokurori Arjan Ndoja, ngeci në Vetting, të dy të shumëfolur për pasuri të pajustifikuara dhe lidhje me botën e krimit.
Nga Qarku i Durrësit, për herë të parë në parlament ulen edhe Manjola Luku, farmaciste e Artan Luku, një sipërmarrës durrsak, i zgjedhur deputet nga radhët e Agrarëve. Nga fusha e biznesit vjen edhe deputeti i ri i Shkodrës Kliti Hoti.
Të gjitha figurat e tjera që futen rishtazi në Kuvend janë rekrutuar nga brenda Partisë. Mjeku Zija Ismaili, deputet i Beratit vjen pas një sërë angazhimesh në PD, deputetja e zgjedhur në Dibër Denisa Vata mbajti deri vonë postin e kryetares së PD në Mat.
Nga Qarku i Elbasanit, PD çon për herë të parë në parlament dy emra, ish kreun e degës lokale Blendi Himçin dhe Klodiana Çapjan, drejtoreshë e një kompanie të njohur ndërtimi.
Korça po ashtu nga radhët e demokratëve çon në Kuvend dy ligjvënës të rinj. Ivi Kason, jurist, që ka mbajtur për vite të tëra peshën e përfaqësuesit ligjor dhe zgjedhor të selisë blu dhe Fidel Krekën, më i votuari mes listës opozitare, i vetëpunësuar por edhe viteve të tëra angazhim në PD.
Nga Qarku më i madh i vendit Tirana, po ashtu ka vetëm 2 emra të rinj, Besart Xhaferri, konsulent arsimi e njëherësh kryetari i Forumit Rinor në PD dhe Tedi Blushi, ish gazetar, ish këshilltar i Ilir Metës në Presidencë dhe numri 2 i partisë së tij.
Po ashtu, Partia e Lirisë fut në parlament për herë të parë mësuesen Brunilda Haxhiu, që do të përfaqësojë Qarkun e Fierit.
DEPUTETË PËR HERË TË PARË NGA PD
Gjin Gjoni ish-gjyqtar
Arjan Ndoja ish-prokuror
Manjola Luku Farmaciste
Artan Luku Biznesmen
Kliti Hoti Biznesmen Drejtor Ekzekutiv
Zija Ismaili Mjek
Denisa Vata Kryetare e PD Mat
Bledi Himçi avokat Ish-kryetar i PD, dega Elbasan
Klodiana Çapja drejtoreshë, kompani ndërtimi
Ivi Kaso Jurist/ Sekretar për Çështjet Zgjedhore në PD
Fidel Kreka Krijuesi dixhital
Besart Xhaferi Shkenca ekonomike/ Kryetar i FRPD
Tedi Blushi Gazetar/ Sekretari i Përgjithshëm i PL
Brunilda Haxhiu Mësuese funksionare e PL