Deri më sot, lindja në hapësirë ka mbetur thjesht një temë e fantashkencës.
Asnjë qenie e gjallë nuk ka lindur jashtë Tokës, pavarësisht misioneve të shumta hapësinore në Hënë apo në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS). NASA nuk e diskuton hapur temën e seksit në hapësirë dhe astronautet marrin pilula për të ndalur ciklin menstrual.
Me planet dhe programet e eksplorimit dhe kolonizimin e Marsit, lind pyetja nëse njerëzit mund të riprodhohen në hapësirë. Udhëtimi në Mars zgjat 7-9 muaj dhe kthimi në Tokë për të lindur fëmijë do të ishte i pamundur. Shkencëtarët po studiojnë ndikimin e mikrogravitetit dhe rrezatimeve në riprodhim, por të dhënat janë të pakta – asnjë gjitar nuk është riprodhuar ndonjëherë jashtë Tokës.
Akti seksual në mikrogravitet është i vështirë për shkak të mungesës së gravitetit, privatësisë dhe kushteve higjienike. Sipas shkencëtarëve, për të pasur kontakt fizik, partnerët duhet të lidhen mes tyre dhe të mbështeten diku. Edhe pse teorikisht i mundur, akti është i komplikuar. Nuk është ende e sigurt nëse fekondimi mund të ndodhë normalisht në hapësirë, pasi lëvizja e vezës në mitër ndikohet nga graviteti. Gjithashtu, mikrograviteti mund të ndikojë në prodhimin e hormoneve dhe në funksionin erektil. Në mungesë të gravitetit, shtytja e fetusit gjatë lindjes varet vetëm nga kontraksionet. Fluidet e gjakut, urinës dhe lëngu amniotik do të fluturonin në të gjitha drejtimet, duke e bërë lindjen shumë të vështirë. Nga ana e bebes, lindja në mikrogravitet mund të jetë më pak traumatike.
Një foshnje e lindur në mikrogravitet nuk do të mësojë të ecë, por të fluturojë. Mungesa e forcës së gravitetit ndikon negativisht në zhvillimin e kockave dhe muskujve. Fëmijët nuk mund të bëjnë ushtrimet që bëjnë astronautët, gjë që mund të çojë në probleme serioze motorike.
Rrezatimet janë një kërcënim i madh për embrionin dhe fëmijë. Ato mund të dëmtojnë ADN-në, të shkaktojnë mutacione apo të ndikojnë në zhvillimin e trurit dhe sistemeve jetësore. ISS është ende pjesërisht e mbrojtur nga fusha magnetike e Tokës, por misionet në Mars do të ekspozojnë astronautët (dhe pasardhësit e ardhshëm) ndaj rreziqeve të mëdha.
Janë kryer disa eksperimente me spermatozoide të njeriut dhe miut, ku u vërejtën dëmtime të ADN-së. Megjithatë, spermatozoidi i miut i ruajtur në hapësirë mundi të fekondojë vezë në Tokë dhe të lindnin mi të shëndetshëm. Ka pasur edhe përpjekje për të dërguar minj shtatzënë në orbitë, por asnjë lindje nuk ka ndodhur ende në hapësirë.
Një projekt i ri europian synon dërgimin e një kolonie minjsh në Hënë për të studiuar mundësinë e lindjes në një gravitet të pjesshëm dhe në kushte rrezatimi të ndërmjetme.
Në përfundim, rruga drejt riprodhimit njerëzor jashtë Tokës është ende e gjatë, plot sfida biologjike, teknologjike dhe etike.