Tre vjet më parë përfundoi kështu. Spanja, deri atëherë një superfuqi e basketbollit botëror, fitoi titullin në Kampionatin Europian në 2022, duke mundur Francën 88-76.
Nuk ka kaluar shumë kohë, por situata ka ndryshuar tërësisht, dhe “Furitë e Kuqe” nuk pritet që të jenë në gjendje ta mbrojnë kurorën. Do të jetë Serbia, favoritja për titull në Eurobasketin që nis sot në Estoni, Greqi, Slloveni e pikërisht Spanjë.
Skuadra ballkanase, që fitoi medaljen e bronzit në Lojrat Olimpike në Paris vitin e kaluar pasi u mund në gjysmëfinale nga “Drim Tim” amerikan, ka përbërjen dhe përvojën për t’ia dalë.
Trajneri I vjetër, Svetislav Peshiç, do të drejtojë yje si Nikola Jokiç, kapitenin Bogdanoviç, Miçiç, Joviç, Petrushev apo Vukçeviç. Nëse do t’ia dalë, do të ishte hera e parë si Serbi, sepse në 1995, 1997 e 2001 ka fituar si Jugosllavi.
Nuk mund të nënvleftësohet Franca, nënkampione olimpike në fuqi, edhe pse “gjelave” u mungon ylli kryesor, Viktor Uembaniama i dëmtuar. Gjermania gjithashtu është një pretendente e fortë, madje “teutonët” cilësohen si pretendentët numër 2 për titullin, e pas tyre janë Franca e Greqia.
Një duel në distancë, apo ndoshta edhe ballë për ballë, do të jetë ai mes dy më të mirëve të Europës në këtë moment, yjeve të NBA-së si Jokiç i Serbisë dhe Luka Donçiç i Sllovenisë, edhe pse skuadra tjetër ballkanase ka mungesa dhe nuk pritet të pretendojë këtë herë.