Agjencia kryesore e OKB-së për ushqimin, Programi Botëror për Ushqimin (WFP), ka paralajmëruar se familjet e bllokuara në qytetin e rrethuar El-Fasher, në perëndim të Sudanit, po përballen me urie ekstreme.

Sipas WFP-së, prej më shumë se një viti nuk është arritur të dërgohet ndihmë ushqimore në këtë qytet të rajonit të Darfurit përmes rrugëve tokësore, ndërsa forcat paraushtarake të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) e kanë rrethuar El-Fasherin për afro 16 muaj, me synimin për ta marrë nën kontroll nga ushtria sudaneze.

Paralajmërimi i WFP-së vjen ndërkohë që aktivistë lokalë raportojnë për vdekje të shkaktuara nga uria në qytetin ku jetojnë rreth 250 mijë banorë.

Lufta civile që shpërtheu në Sudan në prill të vitit 2023 është përshkruar nga OKB-ja si kriza më e rëndë humanitare në botë. WFP njoftoi se mungesat e theksuara të ushqimit në El-Fasher kanë bërë që çmimet e pakove të mbijetesës të rriten në mënyrë të jashtëzakonshme, ndërsa janë raportuar raste kur banorët janë detyruar të ushqehen me foragjere për kafshë apo mbetje ushqimore për të mbijetuar.

Edhe pse WFP nuk fajësoi drejtpërdrejt ndonjë palë, RSF-ja ka ndërprerë rrugët tregtare dhe ka bllokuar furnizimet drejt qytetit të vetëm në Darfur që ndodhet ende nën kontrollin e ushtrisë.

“Çdo banor në El-Fasher po përballet me një luftë të përditshme për të mbijetuar,” deklaroi Eric Perdison, drejtor rajonal i WFP-së për Afrikën Lindore dhe Jugore.
“Mekanizmat e përballimit janë shteruar plotësisht pas më shumë se dy vitesh lufte. Pa qasje të menjëhershme dhe të vazhdueshme, do të humben jetë,” shtoi ai.

Agjencia publikoi edhe dëshminë e një vajze tetëvjeçare, Sondos, e cila kishte ikur nga El-Fasher së bashku me pesë anëtarë të familjes.
“Atje kishte vetëm granatime dhe uri. Vetëm uri dhe bomba,” tha ajo, duke shtuar se familja mbijetonte vetëm me meli.

WFP bëri të ditur se kamionët e ngarkuar me ushqime dhe ndihma ushqyese janë gati për t’u nisur, por nevojiten garanci sigurie për kalim të sigurt. Një konvoj i tillë u dërgua në fillim të qershorit, por u sulmua në rrugë, me ushtrinë dhe RSF-në që fajësuan njëra-tjetrën për incidentin.

Që prej asaj kohe, Kombet e Bashkuara po kërkojnë një armëpushim humanitar njëjavor për El-Fasherin. Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse ndonjëra nga palët do të pranojë lehtësimin e një tjetër përpjekjeje për të çarë rrethimin.

Lufta civile në Sudan ka sjellë edhe akuza për gjenocid në Darfur. Që nga fillimi i konfliktit në vitin 2023, më shumë se 150 mijë persona janë vrarë dhe rreth 12 milionë të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre