Një afat i ri po afron dhe me të ndoshta edhe një kthesë vendimtare në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Ultimatumi i Donald Trump ndaj Kremlinit, i reduktuar nga 50 në vetëm 10 ditë pas sulmeve të fundit ajrore ruse në qytetet ukrainase, përfundon të premten. Sipas Andriy Yermak, shefit të stafit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, kjo javë mund të jetë vendimtare: “Bota ka një mundësi për t’i dhënë fund luftës,” shkruan ai në Washington Post.

Në këtë klimë të tensionuar, pritet të mbërrijë në Moskë emisari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, pas disa muajsh mungesë. Kthimi i tij përkon me një periudhë kur entuziazmi i Trump për ndërmjetësim është venitur, ndërsa bisedimet ruso-ukrainase të Stambollit kanë dështuar. Në këtë interval, Rusia ka reaguar me forcë ndaj presionit amerikan: bombardime masive në Kiev dhe retorikë sfiduese nga vetë presidenti Vladimir Putin.

Sidoqoftë, nga Kremlini po vijnë sinjale të kujdesshme që sugjerojnë hapjen e një dritareje për negociata. Zëdhënësi Dmitry Peskov ka lënë të kuptohet se një takim mes Putinit dhe Zelensky-t nuk përjashtohet, por vetëm nëse paraprihet nga një marrëveshje teknike mes ekipeve negociatore. Sipas Yermak, kjo është një taktikë klasike për të shtyrë vendimet, një përpjekje e Moskës për të fituar kohë.

Në prapaskenë, mbetet e paqartë nëse Putin ka marrë tashmë një vendim strategjik apo është ende në pritje të propozimit amerikan. Qëndrimi zyrtar i Rusisë për një marrëveshje paqeje nuk ka ndryshuar, por në qarqet politike të Moskës ka zëra që sugjerojnë gatishmëri për një kompromis.

Edhe figura të afërta me propagandën e Kremlinit, si Sergey Markov, kanë hedhur idenë e një “armëpushimi ajror”: ndalim i bombardimeve ndaj Ukrainës, i cili mund të paraqitet si një sukses për Trump, ndërsa Rusia do të siguronte lehtësimin e sulmeve me dronë ndaj infrastrukturës së saj energjetike.

Në një koment paralajmërues, presidenti çek Petr Pavel ka thënë se Ukraina mund të detyrohet të pranojë heqjen dorë nga disa territore të pushtuara, nëse kjo është e vetmja rrugë drejt mbijetesës së saj si shtet. Ai gjithsesi ka theksuar se Perëndimi nuk do ta njohë kurrë aneksimin e këtyre territoreve nga Rusia.

Për rrjedhojë, koncepti i një “ngrirjeje të konfliktit” po diskutohet gjithnjë e më seriozisht. Por mbetet sfida thelbësore: a mund të garantohet që kjo të mos shndërrohet në një periudhë pushimi për një agresion të ri rus? Skepticizmi ndaj sinqeritetit të Putinit është i fortë, veçanërisht ndërsa ai vijon të përsërisë narrativën se nuk po pushton, por “çliron” një territor që e konsideron “plotësisht tonin”.

Në të njëjtën kohë, gjestet e tij publike si vizitat në manastire apo puthjet e ikonave, shërbejnë për të ndërtuar imazhin e një lideri të pamëshirshëm dhe të vendosur, që nuk ndjen pendesë për luftën. “Putini nuk ka marsh prapa,” thonë ithtarët e tij, por kjo këmbëngulje mund të shndërrohet në dobësi, veçanërisht përballë realitetit të një ekonomie në vështirësi. Vetë guvernatorja e Bankës Qendrore, Elvira Nabiullina, ka pranuar se burimet financiare të Rusisë janë drejt shterimit.

Ndërkohë, nuk është më pak e vështirë të imagjinohet që Putin do të ulet në një tryezë me Zelensky-n, sesa të besohet që ai do të injorojë kërcënimin e një vale të re sanksionesh amerikane, sidomos kur Trump po e trajton gjithnjë e më shumë këtë konflikt si një “çështje të tijën”, duke iu kundërvënë strategjisë së Joe Biden-it.

Tensioni në Kremlin reflektohet gjithnjë e më shumë përmes shenjave të tërthorta. Peskov ka bërë thirrje për “retorikë të kujdesshme” kur bëhet fjalë për armët bërthamore, një distancim i dukshëm nga deklaratat alarmuese të ish-presidentit Dmitry Medvedev. Ndërkohë, reagimi i ashpër i diplomacisë ruse ndaj vendosjes së nëndetëseve amerikane me armë bërthamore pranë kufijve të saj është shoqëruar me kërcënime për tërheqje nga marrëveshjet për raketat me rreze të shkurtër dhe të mesme, marrëveshje që “de facto” janë zhbërë që në mandatin e parë të Trump-it, ndërkohë që Rusia ka përdorur tashmë raketa si Iskander dhe Oreshnik në Ukrainë.

Në këtë klimë të fragmentuar, Putin duket se po përpiqet të kuptojë se cilin kah duhet të ndjekë “moderatorët” që këshillojnë kujdes, apo “skifterët” që kërkojnë përshkallëzim. Siç vëren analisti ukrainas Vitaly Portnikov, presidenti rus po vë bast për atë që Trump do të ndërmarrë sapo të përfundojë ultimatumi.

Një shenjë e paparashikueshmërisë së situatës është edhe kritika e fundit e Trump ndaj Indisë, të cilën e akuzoi se “nuk i intereson sa njerëz po vriten në Ukrainë”. Kjo deklaratë mund të ketë pasoja: katër rafineritë kryesore të Indisë kanë ndalur së fundmi blerjen e naftës ruse, dhe presioni amerikan mund ta orientojë New Delhi-n drejt një qëndrimi më të ashpër ndaj Moskës.

Ndërsa afati i ultimatiumit po mbyllet, vëmendja botërore është përqendruar në kryeqytetin rus. Nga Moska pritet të përcaktohet nëse bota do të përballet me një marrëveshje paqeje, një përshkallëzim tjetër të konfliktit, apo thjesht me fillimin e një kapitulli të ri të diplomacisë së tensionuar mes dy superfuqive botërore./