27 Gusht, Tiranë – Viti i ri shkollor 2025-2026 nis me një tjetër risi për arsimin parauniversitar: kurrikulën e re për klasën e katërt, e cila përfshin për herë të parë bazat e njohurive mbi inteligjencën artificiale. Këtë e bëri me dije Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu nga shkolla 9-vjeçare “Isa Boletini” në Paskuqan, ku pa nga afër laboratorët smart të instaluar në këtë shkollë.
“Rreth 35 mijë fëmijë kanë mësuar si të kodojnë, por nga ana tjetër jemi duke zhvilluar kurrikulën në TIK dhe kemi miratuar këtë vit kurrikulën e re për klasat e katërta, një kurrikul e cila për herë të parë do të sjellë bazat e njohurive tek nxënësit për inteligjencën artificiale”, tha Manastirliu.
Ky zhvillim vjen paralelisht edhe me investimet për laboratorët smart, ku deri në vitin 2026 do të jenë të pajisura mbi 600 shkolla në të gjithë vendin. Kjo infrastrukturë do të mundësojë zbatimin e kurrikulës së re jo vetëm në klasën e katërt, por do të ndihmojë në zhvillimin e TIK nxënësit deri në gjimnaz.
Gjatë vizitës në shkollën 9-vjeçare “Isa Boletini”, Ministrja Manastirliu tha se janë siguruar tekste falas për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën, si dhe për kategori të veçanta në shkollat e mesme, të cilët janë në vështirësi ekonomike ose sociale.
“Jemi duke punuar për shpërndarjen e teksteve falas për të gjitha nivelet e arsimit bazë, por edhe për gjimnazet ku janë 16 kategori, rreth 12.500 nxënës të gjimnazeve të cilët përfitojnë librat falas falë mbështetjes së qeverisë. Në total janë 236 mijë nxënës të cilët mbështeten përmes programit të mbështetjes së librave falas për çdo vit”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu bëri me dije edhe një tjetër risi për këtë vit shkollor ku përmes platformës digjitale SMIP, ku mësuesit dhe drejtoritë e shkollave kanë mundësi që për herë të parë të hedhin online planet vjetore, duke siguruar përmirësim të vazhdueshëm të procesit mësimor.
“Për të parën herë mësuesit, por edhe drejtoritë e shkollave do të mund të hedhin në sistemin SMIP të gjithë planet e tyre vjetore, kalendarët e aktiviteteve të shkollës, për të bërë të mundur që jo vetëm të auditojmë nga pikëpamja e performancës edhe më shpejtë përmes inspektorëve të arsimit në kohë reale, për të përmirësuar procesin e mësimdhënies”, – tha Manastirliu.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit nënvizoi se në fokus të punës së MAS janë nxënësit dhe mësuesit, duke forcuar integrimin e teknologjisë në lëndë të ndryshme duke siguruar që nxënësit të rriten me aftësi digjitale dhe duke vijuar mbështetjen e mësuesve nëpërmjet trajnimit të Programit të Zhvillimit Profesional të Mësuesve me metodat inovative të mësimdhenies.