Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, në ushtrim të kompetencave të tij për garantimin e sigurisë në hapësirën digjitale dhe ndërgjegjësimin e publikut për rreziqet kibernetike, informon qytetarët mbi identifikimin e një rasti mashtrimi online përmes një platforme të vetëquajtur TXEX.
Policia e Shtetit ka nisur hetimet, teksa iu bën thirrje të gjithë qytetarëve, që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin aplikimet ose përfshirjen në platforma të tilla, të cilat premtojnë fitime të menjëhershme dhe të paverifikuara.
Kjo platformë, e prezantuar si aplikacion për investime në kriptovaluta, nuk është e regjistruar dhe nuk është e licencuar në Republikën e Shqipërisë dhe si e tillë operon jashtë çdo kuadri ligjor kombëtar. Nga vëzhgimet e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dhe nga denoncimet e shumta të bëra publike, konstatohet se aktiviteti i saj mbart tiparet e qarta të një skeme mashtruese digjitale.
Njoftimi i policisë:
Strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit po vijojnë intensivisht veprimet hetimore dhe operacionale, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive që zhvillohen online, për të përfituar para nga qytetarët.
Në këtë kuadër, ju informojmë se Policia e Shtetit, nëpërmjet Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Drejtorisë së Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar, bazuar në informacionet e siguruara, ka nisur një hetim penal lidhur me një skemë të dyshuar investimesh piramidale, nëpërmjet platformave online, dhe po vijon punën intensive për dokumentimin ligjor.
Policia e Shtetit iu bën thirrje të gjithë qytetarëve, që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin aplikimet ose përfshirjen në platforma të tilla, të cilat premtojnë fitime të menjëhershme dhe të paverifikuara.
Për çdo dyshim apo informacion që mund të ndihmojë hetimin, ju inkurajojmë të kontaktoni menjëherë strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, konkretisht ato të Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik dhe të Drejtorisë së Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DPPSh, si dhe të sektorëve përkatës në çdo DVP.