Champions League ka dhënë katër biletat e fundit, duke plotësuar fazën finale të turneut më të rëndësishëm të futbollit europian për klube.
Nuk kishte surpriza në sfidat e fundit të play off, ku të gjitha skuadrat pritëse siguruan kualifikimin për në raundin e grupeve.
Jashtë mbeten Mourinho dhe Fenerbahçe.
Pas barazimit pa gola në sfidën e vajtjes, turqit u mundën 1-0 në fushën e Benfikës.
Gjigandët e futbollit portugez nuk zhgënjyen parashikimet, falë golit të vetëm të Artugollu në minutën e 35-të. Nuk kishte festë as për Bazelin e Xherdan Shaqirit. Futbollisti me origjinë shqiptare ishte protagonist në sfidën e vajtjes ku shënoi në barazimin 1-1 kundër Kopenhagen, por në transfertën daneze kampionët e Zvicrës u mundën 2-0.
Kornelius dhe Maukoko në pjesën e dytë vulosën fatin e sfidës dhe kualifikimin e Kopenhagen në fazën finale të Champions League.
Të njëjtin sukses jetuan edhe Klub Brugge dhe Qarabag. Pas fitores 3-1 në transfertë, kampionët belgë shkatërruan 6-0 Gllasgou Rangers në sfidën e kthimit në shtëpi.
Gjithçka e lehtë për vendasit, që e vranë garën me pesë goila që në pjesën e parë, ndërsa në të dytën plotësuan goleadën për të vazhduar rrugën në turneun më të rëndësishëm të futbollit në kontinentin e vjetër.
Edhe Qarabag siguroi kualifikimin pavarësisht humbjes 3-2 në fushën e tij kundër Ferencvaros.
Kampionët e Azerbajxhanit kishin fituar 3-1 ndeshjen e vajtjes në transfertë, duke marrë vendin në fazën finale të Champions League.