Qeveria ka nxjerrë për konsultim një projketligj për Shoqëritë tregtare, ndryshimet e të cilit prekin disa boshllëqe që kanë ekzistuar në legjislacionin aktual, duke forcuar integritetin e organeve drejtuese dhe transparencën financiare.

Ligji në fuqi parashikonte ndalimin e ushtrimit të funksioneve drejtuese (administrator, anëtar bordi) për persona të dënuar për vepra penale të caktuara në Shqipëri, por nuk mbulonte rastet e dënimeve jashtë vendit për vepra të ngjashme, apo rastet kur individi ishte i sanksionuar me ndalim ushtrimi të profesionit në një tjetër shtet.

Kjo lejonte që individë të dënuar në vende të BE-së për mashtrim, korrupsion apo vepra të tjera të rënda të vazhdonin të mbanin role drejtuese në shoqëritë tregtare shqiptare. Projektligji e korrigjon këtë boshllëk, duke zgjeruar kriteret e papërshtatshmërisë dhe duke parashikuar krijimin e një regjistri publik të personave të ndaluar për administrim.

Kuadri ligjor aktual nuk përcakton qartë detyrimin për kthimin e fitimeve të shpërndara në kundërshtim me kriteret financiare, duke lënë të paqartë përgjegjësinë e aksionerëve përfitues.

Ndryshimet e reja sanksionojnë se fitimet e shpërndara pa autorizim duhet të kthehen detyrimisht dhe se aksionerët mbajnë përgjegjësi për shkeljen, duke synuar mbrojtjen e kapitalit dhe interesave të kreditorëve.

Ligji ekzistues nuk përmbante dispozita të detajuara për trajtimin e aksioneve të veta, si krijimi i rezervës së veçantë apo raportimi i detajuar dhe nuk ndalonte në mënyrë eksplicite mbështetjen financiare (huatë apo garancitë) të shoqërisë për blerjen e aksioneve të saj.

Këto boshllëqe krijonin mundësi për abuzime, përfshirë fshehjen e blerjes së aksioneve të veta përmes transaksioneve të ndërlikuara apo përdorimin e tyre si kolateral për huatë e palëve të treta. Projektligji vendos kufizime të qarta, duke ndaluar praktikat që cenojnë transparencën dhe stabilitetin financiar.

Për herë të parë parashikohet një dispozitë specifike që trajton shpalljen e pavlefshmërisë së një bashkimi të shoqërive në rast shkeljesh procedurale ose ligjore. Kjo masë synon të garantojë sigurinë juridike dhe të vendosë kufizime të qarta kohore duke shmangur pasigurinë në transaksionet e mëvonshme.

Projektligji që synon harmonizimin me rregullat e BE-së do të lehtësojë operimin e bizneseve shqiptare në tregje të tjera evropiane dhe do të eliminojë barrierat ligjore dhe proceduriale. Investitorët e huaj do të kenë një mjedis më të parashikueshëm, ndërsa procedurat e reja si regjistrimi elektronik i degëve, thjeshtësimi i raportimeve dhe qartësimi i rregullave financiare pritet të inkurajojnë sipërmarrjen dhe inovacionin.

Ndryshimet e parashikuara për integritetin e administratorëve, shpërndarjen e fitimeve, trajtimin e aksioneve të veta dhe transparencën financiare synojnë të forcojnë standardet e qeverisjes dhe rrisin përgjegjshmërinë e organeve drejtuese ndaj aksionarëve dhe kreditorëve.
Sipas qeverisë, ky projektligj vendos një bazë solide për transpozimin e direktivave të ardhshme të BE-së, përfshirë ato që lidhen me barazinë gjinore në organet drejtuese dhe transparencën fiskale.