Shtetet e Bashkuara po punojnë për një takim mes Donald Trump, Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky. Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance tha se qeveria amerikane po diskuton për të caktuar momentin kur tre liderët mund të ulen dhe të flasin për fundin e konfliktit të në Ukrainë.

Numri dy i shtëpisë së bardhë megjithatë theksoi se nuk do të ishte mirë që dy presidentët e vendeve në luftë, të takohen para takimit mes Trump dhe Putin që mbahet të premten në Alaska.
Vance shtoi se pengesa më e madhe, që ishte refuzimi i Putin për t’u takuar me Zelenskyn, është tejkaluar. Nga ana tjetër, ambasadori i SHBA në NATO, Mattheë Whitaker, gjithashtu la të kuptohej se presidenti ukrainas mund të marrë pjesë në samit.

“Po, mendoj pa dyshim se është e mundur,” u përgjigj diplomati amerikan, kur u pyet nga CNN nëse kreu i shtetit ukrainas mund të jetë i pranishëm në Alaska. Ambasadori theksoi se nuk mund të ketë marrëveshje nëse të gjitha palët nuk e nënshkruajnë atë dhe qëllimi kryesor është që t’i jepet fund luftës.

Por do të jetë Donald Trump ai që do të vendosë për praninë Zelensky në takim dhe nëse është skenari më i mirë, atëherë ai do të marrë pjesë.
Kanë qenë udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe liderët e tjerë të kontinentit ata që kanë këmbëngulur që Kievi të marrë pjesë në negociatat SHBA-Rusi.

Volodymyr Zelensky u bëri thirrje gjithashtu aleatëve të tij evropianë, kryesisht Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilat gjithashtu janë lënë mënjanë nga bisedimet, të mbajnë një qëndrim të përbashkët.