Kulla Eiffel, katedralja Notre-Dame dhe Muzeu i Luvrit janë ndër vendet më ikonike që turistët vizitojnë kur vijnë në kryeqytetin e Francës.

Por ekziston një zonë tipike franceze dhe romantike që turistët duan ta eksplorojnë gjithnjë e më shumë në Paris: Montmartre.

Mijëra turistë nga e gjithë bota enden çdo ditë në rrugët e mbushura me njerëz të kësaj lagjeje artistike.

Por kartolina panoramike tani është nën presion nga turizmi i tepërt.

Një argjendar në zonë tregon për Associated Press se kur u zhvendos në këtë lagje, dukej sikur jetonte në një fshat në zemër të Parisit, por tani jo më.

Shumica e dyqaneve lokale janë zhdukur, së bashku me shumë vende parkimi dhe atmosferën miqësore.
Në vend të tyre janë turma njerëzish që bëjnë selfie, dyqane që shesin suvenire turistike dhe kafene me menu që u shërbejnë vizitorëve.
Montmartre është vetëm një pikë e nxehtë në një revoltë evropiane në rritje kundër turizmit masiv. Nga Venecia në Barcelonë e deri në Amsterdam, qytetet po përpiqen të menaxhojnë numrin në rritje të vizitorëve.

Banorët e lagjes së famshme varen një banderolë të zezë në shenjë proteste mes dy ballkoneve, ku shkruhej në anglisht: “Pas kartolinës: vendasit keqtrajtohen nga Kryetari i Bashkisë.”
Sacré-Cœur, monumenti më i vizituar në Francë në vitin 2024, dhe lagjja përreth Montmartre janë shndërruar në atë që disa vendas e quajnë një park tematik në qiell të hapur.
Pyetja tani, thonë banorët, nuk është më se sa turistë mund të mirëpresë një qytet, por nëse ka mbetur ndonjë hapësirë për ata që e quajnë shtëpi.