Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, po rijetëzon dy godina publike në Sarandë, për t’i kthyer ato në qendra multifunksionale për fëmijët, të rinjtë dhe komunitetin, në përputhje me vizionin qeveritar për rivitalizimin e aseteve publike, deinstitucionalizimin dhe transformimin e hapësirave në qendra sociale, edukative dhe kulturore.
Shtëpia e Fëmijës “Vangjel Pulla” po rikonstruktohet për t’u kthyer në Qendër të Shërbimeve të Integruara. Projekti parashikon rehabilitimin dhe zgjerimin e godinës, krijimin e hapësirave për kujdes rezidencial e ditor, mjedise për mësim, art dhe zhvillim aftësish, kopësht edukativ, kënde lojërash dhe terrene sportive. Qendra do të ofrojë gjithashtu kurse dhe trajnime për aftësim profesional, duke u bërë një model i ri i përkujdesjes sociale dhe përfshirjes komunitare.
Ish-godina e maternitetit të qytetit, e ndërtuar në vitin 1930 dhe e braktisur prej vitesh, po shndërrohet në Qendër Multifunksionale për të rinjtë dhe komunitetin. Ndërtesa historike do të rijetëzohet si hapësirë edukimi praktik, muze dhe qendër sociale e kulturore, ku do të zhvillohen kurse dhe aktivitete për përgatitjen e të rinjve me aftësi të dobishme për jetën dhe tregun e punës. Në të njëjtën kohë, ajo do të shërbejë si atraksion kulturor dhe turistik për Sarandën.
Këto projekte synojnë të forcojnë zhvillimin lokal dhe përfshirjen sociale, duke i ofruar qytetarëve dhe vizitorëve shërbime moderne, hapësira komunitare dhe mundësi të reja për edukim e kulturë.