Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer trupat e ushtarëve të vrarë në luftë, raportoi të hënën agjencia shtetërore e lajmeve TASS, duke cituar një burim.

Moska dorëzoi trupat e 1,000 ushtarëve ukrainas dhe mori 19 trupa të ushtarëve të saj, raportoi agjencia e lajmeve. “Në përputhje me marrëveshjet e Stambollit, sot i dorëzuam palës ukrainase mbi 1,000 trupa të ushtarëve të Forcave të Armatosura të Ukrainës. Ata na dhanë 19. Njësoj si një muaj më parë”, tha Vladimir Medinsky në emër të Moskës.

Kujtohet se më 23 korrik, në Stamboll u mbajt raundi i tretë i negociatave të drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Ukrainës për të zgjidhur çështjen ukrainase. Pas takimit, palët ranë dakord për shkëmbimin jo vetëm të personelit ushtarak, por edhe të civilëve.