Donald Trump ka dërguar sinjale të forta për Rusinë dhe Ukrainën, teksa përpjekjet për një fund të luftës po vazhdojnë.
Në një postim në Truth Social, presidenti amerikan e quan Rusinë një vend pushtues, një term që e përdor për herë të parë që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë në 20 janar.
“Është shumë e vështirë, nëse jo e pamundur, të fitosh një luftë pa sulmuar një vend pushtues”, shkruan Trump, duke e thënë hapur se Ukraina duhet të kalojë në ofensivë dhe jo thjesht të mbrohet.
Më tej ai akuzon paraardhësin e tij Joe Biden se nuk e la Ukrainën të sulmojë, por vetëm të mbrohet. Ai i referohet Ukrainës si një ekip I shkëlqyer sportive, me një mbrojtje fantastike, por që nuk I lejohet të luajë në sulm.
Këto deklarata e shtojnë presionin ndaj Rusisë që të pranojë një marrëveshje paqeje, pasi Moska sulmoi sërish Ukrainën, duke lënë një të vrarë dhe disa të plagosur në qytetin perëndimor të Lviv.
Presidenti amerikan nuk e ka përmendur publikisht se ishte Rusia ajo që e nisi konfliktin dhe nuk e ka quajtur ndonjëherë një shtet pushtues. Ai madje disa herë akuzoi Ukrainën se ishte ajo që e nisi luftën. Ky postim tregon një ndryshim të madh në qëndrimin e kreut të shtëpisë së bardhë.
Mediat ndërkombëtare kishin raportuar më parë se Trump i kishte kërkuar Zelenskyt nëse mund të sulmonte Moskën apo Shën Peterburgun, gjë që vetë presidenti amerikan e mohoi publikisht.
Këto raportime erdhën kur kreu i Shtëpisë së Bardhë ndryshoi qëndrimin ndaj Vladimir Putin, duke thënë se ai ndoshta nuk e do fundin e luftës.
Presidenti amerikan është takuar tashmë me liderët e dy vendeve në konflikt, fillimisht me Putin e më pas me Zelensky dhe I ka hapur rrugën një takimi mes tyre, ndjekur nga një samit trepalësh ku edhe ai do të jetë i pranishëm.
Presidenti ukrainas Zelensky është shprehur i gatshëm të takohet me Putin, por ka thënë se Moska nuk ka vullnet për t’i ndalur sulmet dhe ka kërkuar sanksione më të forta.