Një gjykatë e Apelit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ka hedhur poshtë dënimin prej 500 milionë dollarësh që presidenti amerikan, Donald Trump ishte i urdhëruar që ta paguante në kuadër të procesit gjyqësor civil të mbajtur në New York vitin e kaluar.
Gjyqtari Arthur Engoron e pati urdhëruar asokohe Trumpin që ta paguante shumën e lartcekur për shkak se shefi i Shtëpisë së Bardhë ishte shpallur fajtor se kishte rritur vlerën e pronave të “Organizatës Trump” në mënyrë artificiale, me qëllimin për të siguruar kredi më të leverdishme.
Në vendimin e lëshuar të enjten nga gjyqtarët e Divizionit të Apelit në New York, ndonëse Trump ishte përgjegjës për mashtrimin, gjoba prej gati gjysmë miliardi dollarësh ishte e tepërt dhe ka të ngjarë të ketë shkelur Kushtetutën e SHBA-së kundër dënimeve të ashpra.
Në çështjen e trajtuar vitin e kaluar, gjyqtari Engoron e kishte urdhëruar Trumpin të paguante rreth 355 milionë dollarë, porse me normë të interesit, gjë që e rriti shumën totale në 500 milionë dollarë.