Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Danimarkës të “qetësohet” pasi kryediplomati amerikan në Kopenhagë u thirr nga Ministria e Jashtme lidhur me akuzat e ngritura se Amerikanët po kryenin operacione të fshehta në Groenlandë. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë nuk e konfirmoi ekzistencën e një fushate për të ndikuar tek populli i Groenlandës, por tha se “ SHBA-të mendojnë se danezët duhet të qetësohen.” Duke cituar burime të ndryshme, televizioni publik danez raportoi se qëllimi i këtyre operacioneve kishte qenë infiltrimi në shoqërinë e Groenlandës me synim për të bindur qytetarët atje të të kërkonin shkëputjen nga Danimarka dhe bashkimin me SHBA. Ende nuk është saktësuar se për kë punonin personat e përfshirë në këtë operacion.

Ministri i Jashtëm i Danimarkës, , theksoi të mërkurën se “çdo përpjekje për të ndërhyrë në punët e brendshme të Mbretërisë së Danimarkës do të ishte e papranueshme”. Agjencia daneze e inteligjencës paralajmëroi se Grenlanda është bërë objektiv i fushatave të ndryshme të ndikimit, të cilat sipas saj synojnë të krijojnë përçarje mes Kopenhagës zyrtare dhe popullit te Groenlandës. Agjencia daneze e inteligjencës tha gjithashtu se ka rritur praninë e saj në territor dhe bashkëpunimin me autoritetet vendase.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit amerikan konfirmoi se i ngarkuari me punë në Kopenhagë, Mark Stroh, kishte zhvilluar një takim me Ministrinë e Jashtme dhe se bisedimet kishin qenë “produktive”, duke rikonfirmuar “lidhjet e forta” mes SHBA-së, Danimarkës dhe Groenlandës. Ai shtoi se Uashingtoni gjithmonë ka respektuar të drejtën e qytetareve te Groenlandës për të vendosur mbi të ardhmen e tyre.

Donald Trump ka shprehur më herët se nëse Danimarka nuk do të pranonte që Groenlanda ti bashkohej Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atëherë Uashingtoni nuk do të përjashtonte mundësinë e aneksimit të këtij territori autonom nëpërmjet forcës ushtarake. Groenlanda është një territor autonom me vetëqeverisje qe prej vitit 1979, por megjithatë politika e jashtme dhe mbrojta e saj mbeten në duart e Kopenhagës. “Një sondazh i janarit tregoi se shumica dërrmuese e 57 mijë banorëve të Grenlandës mbështesin pavarësinë nga Danimarka, por jo bashkimin me Shtetet e Bashkuara.

Tensionet e fundit janë cilësuar nga analistët si një “karton i verdhë diplomatik” ndaj Uashingtonit, diçka e paprecedentë në marrëdhëniet mes dy vendeve, të cilat tradicionalisht kanë qenë shumë të ngushta.