Pas një fitoreje të ngushtë në debutimin e tyre në Ligue 1 kundër Nantes, Paris Saint-Germain është gati të rikthehet në Parc des Princes me një festë të madhe përpara tifozëve.
Klubi parizien do të kremtojë sukseset e sezonit të kaluar dhe triumfin e fundit në Superkupë ndaj Tottenham, dhe një ndër figurat që do të jetë pjesë e kësaj ngjarjeje është edhe Gianluigi Donnarumma.
Portieri italian, ndonëse në qendër të spekulimeve të merkatos dhe me një marrëdhënie të tensionuar me drejtuesit e PSG-së, është ftuar të marrë pjesë në ceremoninë festive pas dy seancave stërvitore me skuadrën.
Një sinjal pozitiv nga klubi, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij në fushë, por edhe një përpjekje për të rikthyer qetësinë në një moment të ndjeshëm për të ardhmen e 25-vjeçarit.
E ardhmja e Donnarumma-s në Paris është ende e pasigurt. Manchester City vazhdon të mbetet i interesuar për shërbimet e tij, por çdo lëvizje varet nga ecuria e negociatave mes klubit anglez dhe Galatasaray për transferimin e mundshëm të portierit Ederson. Deri atëherë, efekti domino i kësaj situate e mban Donnarumma-n në pritje, në gatishmëri për një sinjal nga Pep Guardiola.
Ndërkohë, për PSG-në, festa në Parc des Princes është një mënyrë për të kthyer fokusin te sezoni i ri dhe për të mbajtur harmoninë në skuadër – edhe pse një prej yjeve të saj më të mëdhenj po qëndron pezull mes qëndrimit dhe një aventure të re.