Në rrugët e Tiranës, por jo vetëm, edhe në qytete të tjera dhe kryesisht në zona bregdetare, gjithnjë e më shumë shihen shtetas të huaj.
Tanimë jo vetëm një atraksion turistik, por Shqipëria po lakmohet nga të huajt edhe për të punuar. Filipinasit duket se kanë gjetur treg pune në vendin tonë, kryesisht baby-sitter, sanitare në shtëpitë e shqiptarëve, sallone estetike e të tjera.

Edhe në statistikat zyrtare, shtetasit filipinas janë në vend të parë për numrin e kërkesave. Deri në fund të muajit korrik të këtij viti kanë aplikuar për leje qëndrim 10 mijë e 256 shtetas të huaj. Nga këta, 1351 janë shtetas filipinas. Më pas renditen shtetasit italianë me 1326 kërkesa, pasuar nga India dhe Egjipti.

Bazuar në statistika, gjatë vitit 2025 ka një rritje të aplikimeve, pasi nëse një vit më parë ka pasur 13 176, nga ku janë miratuar 12 856 kërkesa, vetëm në gjysmën e parë të këtij viti ka pasur 10 mijë e 256 kërkesa, nga ku janë miratuar 8152.

Nëse gjatë vitit 2024 në vend të parë ishin shtetasit italianë që kërkonin leje qëndrim, pasuar nga shtetasit egjiptianë, këtë vit vihet re kërkesë në rritje e filipinasve, indianëve dhe egjiptianëve. Arsyet e leje qëndrimit janë të ndryshme, por numrin më të lartë e mbajnë kërkesat për punë, ku vetëm për gjysmën e parë të këtij viti janë 7095 të tilla, ndërkohë që për të gjithë vitin 2024 ka pasur 8197.

Të huajt i gjen edhe në mjaft kompani shqiptare ose jo, por edhe subjekte tregtare, të cilët po përballen me mungesë të krahut të punës, por pse jo edhe në profesione specifike ku tregu i punës ka mungesa. Ndërkohë që kërkesa për leje qëndrim ka edhe për arsye studimi, bashkim familjar dhe arsye të tjera.