Nisi sot në gjithë vendin informimi mbi aplikimet për Skemën Kombëtare të Investimeve 2025, si mbështetje e drejtpërdrejtë ndaj fermerëve që mundëson 50% grant për të gjithë ata, që duan të rrisin sipërfaqet e tyre me të mbjella, mekanikën bujqësore, të ndërtojnë sera, kapanone të mbarështimit të kafshëve dhe të shpendëve, dhe mbi të gjitha të mekanizojnë ekonominë e tyre bujqësore.

Ministri i Financave Petrit Malaj, i cili komunikoi risitë e kësaj skeme nga Lushnja, një nga zonat kyçe të zhvillimit bujqësor në Shqipëri, tha se “Vëmendja e qeverisë në sektorin e bujqësisë vjen gjithmonë e në rritje dhe në këtë këndvështrim, ne jemi duke punuar për të ndërtuar modele, të cilat synojnë mbështetjen e drejtpërdrejtë të fermerëve. Jemi duke punuar, duke ngritur skemën e granteve, skemën e subvencionimit, por edhe kreditë e buta.”

Vetëm për vitin 2025 është vënë në dispozicion të sektorit të bujqësisë Skema Kombëtare e Investimeve për vlerën 20 milionë euro, dhe janë vendosur subvencionet për sektorin e bujqësisë në vlerën 45 milionë euro.
Gjithashtu, në fillim të këtij viti janë lançuar edhe kreditë buta për këtë sektor në vlerën 250 milionë euro, e cila në kombinim edhe me garancinë sovrane, bën të gjithë fermerët përfitues të kredive të buta me një normë interesi 2%, dhe kredive, që do të garantohen deri në masën 70% nga shteti dhe vetëm 30 % nga fermerët.

Ministri Malaj ftoi fermerët të aplikojnë, duke i hapur në këtë mënyrë rrugën konkurrencës në tregjet europiane. “Unë do doja t’i bëja thirrje të gjithë fermerëve, të cilët duhet të vijnë të aplikojnë dhe të përfitojnë nga këto skema financimi në mënyrë që ta çojnë bujqësinë në një nivel tjetër, në mënyrë që të jenë në gjendje që të konkurrojnë dhe të jenë konkurrues në tregjet europiane.” – u shpreh ai.

Ndërkohë Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj informoi se “Janë 9 masa në shfrytëzim të drejtpërdrejtë të fermerëve, por këtë vit kemi edhe dy risi, ndryshe nga viti i kaluar. Kemi agropërpunimin, ku mundësojmë me këtë 20 milionë euro për të gjithë mbështetjen një vëmendje të veçantë për agropërpunimin, sepse vlera e produktit shqiptar duhet të rritet dhe për të mos lënë jashtë vëmendjes atë që është agroturizmi, si një nga elementet më të rëndësishëm sot për të ruajtur fara autotoktone, trashëgiminë tonë në kulinari dhe mbi të gjitha për t’i ardhur në ndihmë Paketës Maleve një nisëm e qeverisë shqiptare, e cila sapo ka nisur dhe që në nisje të saj ka 250 aplikime.” – teksa theksoi rëndësinë e aplikimit.

Mbështetja me grante në masën 50% do të shoqërohet përgjatë gjithë vitit, edhe me një mbështetje të drejtpërdrejtë për disbursimin e masës së parë me 30% brenda dhjetorit.
Aplikimet e nisura në datën datën 30 korrik, përfundojnë në 30 shtator.
Aplikimi do të kryhet me asistencën e agropikave të shtrira në 20 rrethet e Republikës së Shqipërisë, por aplikimi final kryhet me dosje fizike pranë zyrave qendrore të AZHBR-së.