Një raport i ri nga instituti britanik i mendimit “UK-China Transparency” ka ngritur alarmin se studentët kinezë që studiojnë në universitete britanike po përballen me presione nga autoritetet kineze për të spiunuar diskutimet e bashkëmoshatarëve të tyre, me qëllim që këto diskutime të mos bëhen tek të rinjtë e shoqërisë Kineze.
Sipas raportit, disa akademikë në fushën e studimeve kineze që punojnë jo vetëm në Pekin, por edhe në institucionet arsimore britanike kanë raportuar se janë paralajmëruar nga zyrtarë të qeverisë kineze që të shmangin diskutimin e çështjeve të tilla në mësimdhënie. Këto zhvillime vijnë pak ditë pas hyrjes në fuqi të një ligji të ri në Mbretërinë e Bashkuar, që i kërkon universiteteve të forcojnë angazhimin për lirinë akademike dhe të shprehjes.
Ambasada kineze në Londër e ka quajtur raportin “të pabazë dhe absurd”, duke deklaruar se Kina respekton lirinë e fjalës në Britani dhe kudo në botë. Ndërkohë, rregullatori i arsimit të lartë në Mbretërinë e Bashkuar, Office for Students for ka theksuar se liria e shprehjes dhe ajo akademike janë “themelore” për institucionet e arsimit të lartë.
Ligji i ri parashikon që universitetet duhet të mbrojnë dhe promovojnë aktivisht këto liri, edhe në rastet kur kanë marrëveshje bashkëpunimi me vende të tjera. Nëse dështojnë ta bëjnë këtë, mund të përballen me gjoba që arrijnë miliona paund.
Megjithatë, institute UK-China Transparency thotë se shumë universitete shmangin trajtimin e ndikimit të Kinës për shkak të varësisë financiare nga tarifat e studentëve kinezë. Raporti gjithashtu pretendon se disa akademikë që merren me kërkime të ndjeshme janë përballur me ndalimin e vizave nga Kina, apo kërcënime dhe ngacmime ndaj familjarëve të tyre në atdhe.
Çështjet që konsiderohen të ndjeshme përfshijnë temat mbi shkencën, teknologjinë, politikën, të drejtat e njeriut dhe historinë, përfshirë pretendimet për spastrime etnike në rajonin e Xinjiang-ut, origjinën e COVID-19 dhe ngritjen e kompanive kineze të teknologjisë.
Raporti citon raste ku akademikët janë ndjerë të kërcënuar nga studiues vizitorë apo zyrtarë të tjerë kinezë, si dhe nga përfaqësues të instituteve Konfuci, organizata që promovojnë kulturën dhe gjuhën kineze në disa universitete britanike, por që janë kritikuar për lidhjet me Partinë Komuniste të Kinës.
Kreu i Zyres per Studentet në qeverinë britanike , Susan Lapworth, ka deklaruar se institutet Konfuci do të jenë në qendër të vëmendjes në kuadër të ligjeve të reja për lirinë e shprehjes, për shkak të shqetësimeve se mund të cenojnë këtë liri në kampuset universitare. Office for Students ka paralajmëruar se do të forcojë kompetencat e saj për të hetuar dhe ndëshkuar çdo rast të ndërhyrjes së shteteve të huaja, dhe ka nxitur universitetet të rishikojnë apo anulojnë marrëveshjet që mund të rrezikojnë lirinë e fjalës.
Ministrja britanike e Aftësive, Jacqui Smith, tha se çdo përpjekje nga një shtet i huaj për të frikësuar, ngacmuar apo dëmtuar individë në Britani “nuk do të tolerohet”, duke shtuar se liria akademike është “e panegociueshme”.
Ajo përmendi edhe një gjobë rekord prej 585 mijë paundësh të vendosur më herët këtë vit, si paralajmërim për universitetet që nuk arrijnë të mbrojnë liritë themelore.