
Administrata e presidentit Donald Trump ka shpallur vendosjen e tarifave të reja doganore për një numër të madh shtetesh, në përpjekje për të stimuluar prodhimin vendas dhe për të ushtruar presion tregtar mbi partnerët ekonomikë të Shteteve të Bashkuara.
Sipas përfaqësuesit të Tregtisë në Shtëpinë e Bardhë, Jamieson Greer, masat e reja janë “pothuajse përfundimtare” dhe nuk pritet të rinegociohen së shpejti.
“Këto tarifa janë gati për zbatim dhe nuk do të jenë pjesë e ndonjë negociate në ditët në vijim,” – deklaroi Greer për CBS, duke theksuar vendosmërinë e administratës për të qëndruar e prerë në politikat tregtare, veçanërisht ndaj vendeve si Brazili.
Masa vjen pas nënshkrimit të një dekreti presidencial nga Donald Trump, të enjten, i cili parashikon nivele të ndryshme tarifore për importet që vijnë nga vende të ndryshme, që variojnë nga 10% deri në 41%, në varësi të origjinës dhe llojit të produktit. Tarifat do të hyjnë në fuqi më 7 gusht, për të lejuar autoritetet doganore kohë për përgatitje.
Lista e vendeve dhe tarifat përkatëse:
-Bashkimi Europian, Japonia, Koreja e Jugut – 15%
-Mbretëria e Bashkuar – 10%
-Indonezia – 19%
-Vietnami dhe Tajvani – 20%
Për vendet me të cilat SHBA ka marrëveshje tregtare ekzistuese – si BE-ja dhe Japonia – tarifat janë të fiksuara dhe nuk do të ndryshojnë, sipas këshilltarit kryesor ekonomik të Trump, Kevin Hassett.
Megjithatë, Hassett theksoi për NBC se për vendet që nuk kanë marrëveshje tregtare me SHBA-në, negociatat do të vazhdojnë, dhe tarifat mund të rishikohen në të ardhmen, në varësi të qëndrimeve reciproke.
Ky vendim pritet të ndikojë në dinamikat tregtare globale dhe të testojë qëndrueshmërinë e partneriteteve ekonomike të SHBA me vende të rëndësishme në Azi, Europë dhe më gjerë.