Një shtetas kinez është dënuar me tetë vjet burg për kontrabandë armësh dhe pajisjesh të tjera ushtarake në Korenë e Veriut, tha Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së. Shenghua Wen, 42 vjeç, mori rreth 2 milionë dollarë nga zyrtarët e Koresë së Veriut për të transportuar artikujt nga Kalifornia, aty ku jeton.

Ai ka qenë në paraburgim që nga dhjetori dhe u deklarua fajtor në qershor për konspiracion për të shkelur Aktin Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike të Emergjencës dhe për të vepruar në mënyrë të paligjshme si agjent i huaj.
Rasti i Wen nxjerr në pah mënyrat e ndryshme se si Koreja e Veriut anashkalon sanksionet ndërkombëtare mbi tregtinë e armëve, raporton BBC. Departamenti i Shtetit të SHBA-së e përshkruan Wen si një “të huaj të paligjshëm” dhe thotë se ai hyri në SHBA me një vizë studentore në vitin 2012 dhe qëndroi në vend pasi ajo skadoi në dhjetor 2013.

Para se të hynte në Shtetet e Bashkuara, ai thuhet se u takua me zyrtarë të qeverisë së Koresë së Veriut në ambasadën e Koresë së Veriut në Kinë, të cilët e udhëzuan atë të siguronte artikujt në emër të Koresë së Veriut.
Në vitin 2022, dy zyrtarë të Koresë së Veriut kontaktuan Wen nëpërmjet një platforme online dhe i kërkuan atij të kontrabandonte armë dhe mallra të tjera nga Shtetet e Bashkuara në Korenë e Veriut.

Kështu, vitin pasardhës, ai dërgoi të paktën tre kontejnerë me armë zjarri nga Porti i Long Beach, Kinë, me destinacion përfundimtar Korenë e Veriut. Informacioni në lidhje me përmbajtjen e kontejnerëve ishte i rremë. Ndër të tjera, shtatorin e kaluar, ai bleu afërsisht 60,000 plumba 9 mm me qëllim dërgimin e tyre në Korenë e Veriut.

Autoritetet amerikane thanë gjithashtu se Wen siguroi “teknologji të ndjeshme” që ai kishte ndërmend t’i dërgonte në Korenë e Veriut, siç është një pajisje zbulimi i kërcënimeve kimike.
Sipas sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Koresë së Veriut i ndalohet të tregtojë armë dhe pajisje ushtarake. SHBA-të kanë vendosur sanksionet e tyre ndaj Koresë së Veriut për aktivitetet e saj bërthamore dhe balistike me raketa.