Donald Trump kërkon të shënojë paqen mes Armenisë dhe Azerbajxhanit në listën e atyre që i sheh si arritje të rëndësishme të tij.

Presidenti amerikan pret sot në Shtëpinë e Bardhë liderët e të dy vendeve për të nënshkruar një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, e cila t’i japë fund konfliktit disa dekadësh mes tyre. Kryeministri armen, Nikol Pashinian, dhe presidenti azerbajxhanas, Ilham Aliyev, do të firmosin gjithashtu marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për të “ndjekur së bashku mundësitë ekonomike, në mënyrë që të shfrytëzojmë plotësisht potencialin e rajonit të Kaukazit të Jugut”, njoftoi Trump në platformën Truth Social.
“Shumë liderë kanë provuar t’i japin fund luftës, pa sukses, deri më tani, falë ‘TRUMPIT’”, shkroi ai, duke shtuar se do të jetë “një ceremoni zyrtare e nënshkrimit të paqes”. Sipas zyrës së tij për media, Pashinian ndodhet tashmë në Uashington dhe më 7 gusht vizitoi Muzeun e Biblës. Marrëveshjet ekonomike mund të çelin rrugën për rihapjen e një korridori strategjik transporti në Kaukazin e Jugut, i cili ka qenë i mbyllur që nga fillimi i viteve ’90.

Sipas zyrtarëve amerikanë, të cituar në raportimet mediatike në kushte anonimiteti, marrëveshjet do t’i jepnin Shteteve të Bashkuara të drejtën e qirasë për zhvillimin e korridorit të Zangezurit dhe do ta emërtonin atë “Rruga Trump për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar” (TRIPP). Ky korridor do të lidhte Azerbajxhanin me rajonin e tij të Nakhçivanit, i cili është i ndarë nga pjesa tjetër e vendit nga një shtrirje 32 kilometra e territorit armen, dhe do të përfshinte në të ardhmen një linjë hekurudhore, tubacione për naftë dhe gaz, si dhe linja me fibra optike, duke mundësuar qarkullimin e mallrave dhe më vonë edhe të njerëzve.

Marrëveshja nuk parashikon që Shtetet e Bashkuara të financojnë ndërtimin e korridorit të tranzitit, por u bën thirrje korporatave private ta zhvillojnë atë. Armenia dhe Azerbajxhani kanë zhvilluar dy luftëra të mëdha për rajonin e njohur si Nagorni-Karabak që nga shpallja e pavarësisë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik më 1991.