Lufta në Ukrainë mund të marrë rrjedhë tjetër pas takimit të presidentit amerikan, Donald Trump, me homologun e tij ukrainas, Zelensky.

Lëshimi i territoreve është një pikë e nxehtë edhe për ukrainasit, mirëpo ata kanë shprehur besim te Zelensky.

“Kërkesat e Putin janë të papranueshme dhe nuk ka asgjë për të folur. Duhet të përdoret vetëm forca, sepse Rusia nuk kupton asnjë gjuhë tjetër. Takimet dhe bisedimet e tyre janë cirk i pastër. Mendoj se ata i forcuan pozicionet e tyre sepse një diktatori iu lejua të fliste dhe u dëgjua.“
Të irrituar nga një luftë që fundi duket po aq afër sa edhe larg, banorët shprehen me bindje se presidenti ukrainas Zelensky nuk do t’i pranojë kushtet, pasi shumë njerëz humbën jetën gjatë luftimeve.

“Mendoj se Zelensky nuk do të pranojë kushtet, sepse shumë njerëz vuajtën dhe humbën jetën. A vdiqën ata për asgjë dhe ne do të japim tokë? Por në të njëjtën kohë, është shumë e dhimbshme që njerëzit vazhdojnë të vdesin ndërsa negociojnë në kabinete.“

Nga ana tjetër, banorët theksojnë se Putin do të pushtojë të gjithë Ukrainën dhe për të nuk kanë rëndësi marrëveshjet që nënshkruan, sepse deri më sot nuk ka zbatuar asnjë.

“Putin dëshiron të pushtojë të gjithë Ukrainën. Çfarë premtimesh? Nëse heqim dorë nga Donbasi, atëherë nesër Rusia do të kërkojë Zaporizhjian dhe Khersonin. Putin nënshkroi shumë dokumente në të kaluarën, por ato nuk kishin absolutisht asnjë kuptim.“

Takimi mes dy liderëve, Trump dhe Zelensky, pason samitin që u zhvillua mes presidentit amerikan dhe atij rus në Alaskë. Pavarësisht përpjekjeve për të arritur një paqe të qëndrueshme, Rusia vijon sulmet e saj, duke shkaktuar dhjetëra viktima dhe të plagosur.