Administrata e Donald Trump po kontrollon më shumë se 55 milion njerëz që kanë viza të vlefshme amerikane për çdo shkelje të mundshme që mund të çojë në deportimin e tyre.

Në një përgjigje për Associated Press, Departamenti i Shtetit tha se të gjithë ata që kanë viza amerikane, përfshirë këtu edhe ato turistike nga shumë vende, i nënshtrohen verifikimit të vazhdueshëm, të kujdesshëm ndaj çdo treguesi se ata mund të mos jenë të kualifikuar për leje për të hyrë ose qëndruar në Shtetet e Bashkuara.

Nëse gjendet një informacion i tillë, viza do të revokohet dhe nëse mbajtësi i vizës është në Shtetet e Bashkuara, ai ose ajo do t’i nënshtrohet deportimit.

Departamenti i Shtetit tha se po kërkon tregues që deklasifikojnë këta njerëz, duke përfshirë ata që qëndrojnë përtej afatit kohor të autorizuar të përcaktuar në një vizë, aktivitet kriminal, kërcënime për sigurinë publike, përfshirje në çdo formë aktiviteti terrorist ose ofrimin e mbështetjes për një organizatë terroriste.
Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, vitin e kaluar në SHBA kishte 12.8 milionë mbajtës të kartës së gjelbër dhe 3.6 milionë njerëz me viza të përkohshme.

Shifra prej 55 milionësh tregon që disa njerëz që i nënshtrohen shqyrtimit janë aktualisht jashtë Shteteve të Bashkuara me viza turistike.
Ndërkohë sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio tha se nuk do të jepen më viza për ata që kërkojnë të punojnë si shoferë kamioni në SHBA, pasi numri i madh i këtyre të huajve, po u rrezikon jetën amerikanëve.

Që kur Presidenti Donald Trump mori detyrën, administrata e tij është përqendruar në deportimin e emigrantëve që ndodhen ilegalisht në Shtetet e Bashkuara,. Në shenjestër të kanë qenë edhe ata që mbajnë viza studentore, për shkak të përfshirjes në protestat pro Palestinës në kampuset universitare.