Kompania xAI e Elon Musk ka ngritur padi ndaj Apple dhe OpenAI, duke i akuzuar se kanë shkelur ligjet amerikane të konkurrencës përmes një marrëveshjeje që, sipas saj, pengon konkurrencën në fushën e inteligjencës artificiale. Kjo padi hap një kapitull të ri në përplasjen mes miliarderit dhe dy prej kompanive më të fuqishme në teknologji.
Në qendër të padisë është marrëveshja që Apple ka lidhur me OpenAI për të integruar chatbot-in ChatGPT në asistentin zanor Siri, si dhe në veçori të tjera të pajisjeve të saj, përfshirë ato të shkrimit dhe kamerës. Sipas padisë së paraqitur të hënën në një gjykatë federale në SHBA, ChatGPT është bërë jo vetëm zgjedhja e paracaktuar, por edhe e vetmja teknologji AI e këtij lloji me integrim të drejtpërdrejtë në iPhone.
“Kjo marrëveshje i ka dhënë OpenAI akses ekskluziv në miliarda kërkesa të mundshme nga përdoruesit,” thuhet në dokumentin ligjor të firmosur nga xAI dhe kompania tjetër e Musk, X (ish-Twitter).
Padia përforcon përplasjen në rritje mes Musk dhe Sam Altman, drejtuesi ekzekutiv i OpenAI dhe një ish-bashkëpunëtor i tij. Ajo përfshin edhe Apple në këtë përballje të gjatë mes miliarderëve rivalë.
Sipas padisë, marrëveshja mes Apple dhe OpenAI është “e paligjshme” dhe u mohon rivalëve aksesin e njëjtë te përdoruesit. Ajo gjithashtu pretendon se Apple nuk ka qenë inovative në fushën e inteligjencës artificiale, duke përmendur edhe vështirësitë në lançimin e platformës së saj “Apple Intelligence”.
Gjithashtu, Apple akuzohet për manipulim të renditjes së aplikacioneve në App Store dhe për vonesa të qëllimshme në përditësimin e aplikacionit Grok të zhvilluar nga xAI, për të dëmtuar konkurrencën.
Megjithëse Apple ka deklaruar më herët se planifikon të bashkëpunojë edhe me kompani të tjera të AI, përveç OpenAI, deri tani nuk është bërë publike asnjë marrëveshje e re pas integrimit të ChatGPT në dhjetor 2024. Apple ka zhvilluar bisedime me Google për të integruar Gemini, por pa rezultate konkrete.
Zëdhënësi i OpenAI, duke reaguar ndaj padisë, tha: “Kjo është në vazhdën e një sjelljeje të vazhdueshme ngacmuese nga z. Musk.”
Ndër të tjera, padi akuzon OpenAI për mbajtje të një monopoli në tregun e chatbot-ëve me inteligjencë artificiale.
Apple nuk ka komentuar menjëherë mbi çështjen. Kur Musk paralajmëroi padinë më herët këtë muaj, Apple deklaroi se App Store është “i ndërtuar për të qenë i drejtë dhe paanshëm”.
Padia e së hënës shkon më tej, duke akuzuar Apple për mbrojtje të pozitës së saj monopoliste në tregun e telefonëve inteligjentë, përmes pengimit të zhvillimit të “super-aplikacioneve” të fuqizuara nga AI aplikacione që mund të konkurrojnë me grupin tradicional të aplikacioneve që gjenerojnë të ardhura të mëdha për kompaninë.
Kjo padi pason një tjetër proces gjyqësor të ngritur nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë ndaj Apple vitin e kaluar, që e akuzon gjithashtu kompaninë për frenimin e inovacionit të aplikacioneve të avancuara.
Musk ka reaguar ashpër edhe kur u njoftua marrëveshja Apple-OpenAI në qershor 2024, duke e cilësuar atë si një “shkelje të papranueshme të sigurisë”, që do t’i jepte OpenAI akses në të dhënat e përdoruesve të iPhone. Ai madje kërcënoi se do të ndalonte pajisjet Apple në ambientet e kompanive të tij.
Marrëdhëniet mes Musk dhe Apple janë tensionuar më parë. Pas blerjes së Twitter në nëntor 2022, Musk akuzoi Apple se kishte kërcënuar të hiqte aplikacionin nga App Store. Më vonë, ai kritikoi edhe komisionin 30% që Apple merr nga blerjet dixhitale.
Përplasja u zbut pas një takimi me shefin ekzekutiv të Apple, Tim Cook. Megjithatë, në nëntor 2023, tensionet u rindezën kur Apple ishte mes kompanive që tërhoqën reklamat nga platforma X. Reklamimi është rikthyer që prej atëherë.
Padia përbën gjithashtu një sulm tjetër të Musk ndaj OpenAI, një kompani të cilën ai ndihmoi në themelimin e saj në vitin 2015, por që e la në vitin 2018 pas një përplasjeje me Altman. Musk themeloi xAI në vitin 2023 dhe e bashkoi këtë vit me platformën X.
Në një tjetër proces gjyqësor në Kaliforni, Musk e akuzon OpenAI se ka tradhtuar misionin e saj jofitimprurës në ndjekje të përfitimeve financiare. Më herët këtë vit, ai bëri një ofertë për të blerë asetet kryesore të OpenAI, që u refuzua. Një dokument i fundit gjyqësor zbuloi se ai kishte tentuar të përfshinte në këtë ofertë edhe shefin ekzekutiv të Meta-s, Mark Zuckerberg.
Po këtë muaj, Musk e ka quajtur Altman “gënjeshtar” për pretendimet se ai ka manipuluar platformën X për të promovuar postimet e tij. Musk i është përgjigjur duke thënë: “Postimi yt pati më shumë shikime se shumë prej të miave, megjithëse unë kam 50 herë më shumë ndjekës se ti!”
Në padi theksohet gjithashtu se OpenAI dhe Apple kanë përdorur platformën X për të përhapur dezinformata mbi skemën e tyre të dyshuar anti-konkurruese.