Trump po planifikon ta presë udhëheqësin ukrainas edhe një herë në “hapësirën e tij të shenjtë” këtë të hënën, ndërkohë që zëvendëspresidenti luftarak është kthyer në Uashington të dielën nga pushimet në Britani – çka do të thotë se ai mund të jetë i pranishëm në takim.

Diplomatët thanë se askush i përfshirë në përgatitje nuk dëshiron që përplasjet e personaliteteve apo shfaqjet madhështore të prishin negociatat vendimtare të së hënës. Të tre palët – Ukraina, SHBA-ja dhe evropianët – e kaluan të dielën në konsultime të ngjeshura, në përpjekje për të përgatitur terrenin për një rezultat më pozitiv në paraqitjen e fundit të Zelensky-t në Shtëpinë e Bardhë.
Qëllimi kryesor, veçanërisht i delegacioneve evropiane dhe ukrainase, është të sigurohen që të mos duken si tri palë të ndara, por si një e vetme, e bashkuar në ndjekjen e një paqeje të realizueshme. Sipas tyre, Putini do të ishte përfituesi i vetëm nga çdo lloj debati publik.

Planet e Shtëpisë së Bardhë po “ndryshojnë me orë”, sipas një diplomati, por janë kristalizuar rreth dy takimeve: Një takim dypalësh mes Zelensky-t dhe Trump-it, i ndjekur nga një takim më i madh me udhëheqësit evropianë.
Shtatë udhëheqësit evropianë, përfshirë Sir Keir Starmer, do të mbërrijnë të parët në Portikun Jugor të Shtëpisë së Bardhë, përpara se Trump të përshëndesë Zelensky-n në Krahun Perëndimor.
Edhe pse Trump ka ndjekur një qasje më të hapur ndaj medias krahasuar me paraardhësin e tij, Joe Biden, i cili rrallë pranonte pyetje, ekziston një nervozizëm i pazakontë përsa i përket hapjes ndaj shtypit.
• Kufiri i Ukrainës në harta: opsionet e shpjeguara
Kjo do të ndiqte modelin e vendosur të premten në Alaska, kur Trump përfundoi një konferencë të shkurtër për shtyp me Putinin, pa iu përgjigjur pyetjeve. Për rrjedhojë, përfshirja e medias në fillim të takimit në Zyrën Ovale mund të jetë e kufizuar vetëm në një “spërkatje” të vogël – pra, disa pyetje të bërtitura nga një grup i vogël gazetarësh gjatë momentit të fotografimit dhe shtrëngimit të duarve.
Takimi i muajit shkurt mes Trump dhe Zelenskit filloi të marrë për keq kur Brian Glenn, një korrespondent i rrjetit konservator Real America’s Voice, e pyeti Zelensky-n: “Pse nuk vesh kostum?” Ai shtoi: “Shumë amerikanë kanë probleme me ty që nuk po respekton dinjitetin e kësaj zyre.”
Zgjedhja e veshjes së Zelensky-t do të jetë përsëri në fokus. Ai ka të ngjarë të vazhdojë të veshë xhaketën e tij pa jakë, me stil ushtarak – ndonëse një xhaketë kostumi me kravatë do të shihej nga Trump dhe Vance si një shenjë respekti, dhe mund të ndihmonte në krijimin e një atmosfere më të mirë. Megjithatë, Zelensky duhet të ketë parasysh edhe audiencën e tij vendase, e cila mund ta interpretojë një ndryshim të tillë si përulje ndaj Trump-it, sidomos pasi ai ka deklaruar se nuk do të vishet ndryshe deri në përfundimin e luftës.
Diplomatët perëndimorë i kanë sugjeruar Zelensky-t që të përdorë përkthyes gjatë bisedës me Trump-in, për t’i dhënë vetes më shumë kohë për të menduar dhe për të kuptuar më mirë nuancat e anglishtes. Një faktor që ndikoi në shpërthimin e tensionit në shkurt ishte kur Trump i tha: “Nuk i ke letrat tani.” Zelensky u përgjigj me nervozizëm, sikur të ishte akuzuar për lojëra, duke thënë: “Nuk po luaj letra, jam shumë serioz, z. President.”
Marco Rubio, sekretari i shtetit i SHBA-së, i cili qëndroi me një fytyrë të ftohtë pranë Vance gjatë takimit të shkurtit, foli të dielën për shqetësimin që të shmanget një përsëritje e atij momenti.
Ai i tha CBS News: “Ky është një rrëfim kaq idiot nga mediat, që thonë se ata (udhëheqësit evropianë) po vijnë nesër sepse Trump do ta detyrojë Zelensky-n të bëjë një marrëveshje të keqe. Ne kemi punuar me këta njerëz për javë të tëra. Ata po vijnë nesër sepse kështu kanë zgjedhur. Ne i kemi ftuar.”
Potenciali për pyetje të sikletshme që mund të nxjerrin në pah përçarjet midis aleatëve po ndikon në vendimmarrjen e Shtëpisë së Bardhë për të mos organizuar një konferencë të madhe për shtyp të hënën. Është e pamundur që Trump të përpiqet t’i grumbullojë të gjithë udhëheqësit evropianë në Zyrën Ovale – pjesërisht për arsye hapësinore dhe pjesërisht për të shmangur pamjen se ata janë të paktë në numër.
Takimi më i gjerë do të zhvillohet në Dhomën Lindore të Shtëpisë së Bardhë. Në fillim do të realizohet një “foto familjare” me të gjithë pjesëmarrësit dhe mund të lejohen disa pyetje nga gazetarët. Nuk janë njoftuar plane për konferenca shtypi më vonë, dhe Starmer nuk pritet të mbajë një konferencë për shtyp përpara kthimit në Londër, por mund të japë një deklaratë të shkurtër.

Nëse lejohet vetëm një zyrtar t’i bashkohet secilit udhëheqës, Starmer do të shoqërohet nga Jonathan Powell, këshilltari i tij për sigurinë kombëtare. Në rast se lejohen dy zyrtarë, i dyti pritet të jetë Lord Mandelson, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Uashington, i cili ka krijuar marrëdhënie të mira me anëtarët kryesorë të ekipit të Trump.