Pavarësisht rënies së temperaturave, Portugalia vijon të përballet me zjarre të mëdha.
Për shuarjen e zjarreve janë mobilizuar rreth 1,600 zjarrfikës dhe mjete ajrore, sipas Agjencisë së Mbrojtjes Civile.

“Ky është ndoshta zjarri më i madh i regjistruar ndonjëherë në Portugali,” deklaroi Paulo Fernandes, profesor në Departamentin e Shkencave Pyjore në Universitetin e Tras-os-Montes, duke iu referuar zjarrit që nisi në Arganil dhjetë ditë më parë. Sipas vlerësimeve të tij, zjarri ka djegur një sipërfaqe prej rreth 600,000 hektarësh.
Ashtu si Spanja fqinje, e goditur gjithashtu nga zjarre të shumta, Portugalia ka përjetuar një qetësim të situatës gjatë ditës së djeshme, falë uljes së temperaturave që pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Megjithatë, që nga fundi i korrikut, zjarret kanë shkaktuar tre viktima dhe kanë plagosur rëndë dhjetëra persona, kryesisht zjarrfikës. Flakët kanë shkatërruar gjithashtu shtëpi dhe toka bujqësore.
Përballë përmasave të kësaj fatkeqësie, Portugalia kërkoi ndihmë një javë më parë përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile. Në terren janë dislokuar gjithashtu dy avionë nga Suedia, dy avionë tip Canadair nga Greqia dhe një helikopter Super Puma nga Franca.

“Vetëm ata që nuk e njohin vendin mund të mendojnë se është e mundur të jesh kudo në çdo moment dhe të parashikosh shfaqjen dhe përhapjen e të gjitha zjarreve,” u shpreh kryeministri Luis Montenegro, i cili është përballur me kritika për mënyrën e menaxhimit të krizës.

Pas mbledhjes së kabinetit qeveritar, të mbajtur dje, kryeministri njoftoi masa të menjëhershme ndihme për banorët dhe fermerët e prekur nga flakët. Ai gjithashtu pranoi se është e domosdoshme një reflektim më i thellë mbi menaxhimin e pyjeve dhe sistemin e mbrojtjes civile. Montenegro pritet të raportojë për menaxhimin e situatës përpara parlamentit të mërkurën, pas një kërkese të bërë nga opozita. Sipas të dhënave të Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), që është pjesë e Observatorit Evropian të Kopernikut, rreth 2.76 milionë hektarë janë djegur që nga fillimi i këtij viti në Portugali. Portugalia mban rekordin evropian për sipërfaqen më të madhe të djegur që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 2006, me 5.63 milionë hektarë të djegura në vitin 2017 – një vit tragjik në të cilin humbën jetën 119 persona. Deri më tani, rreth 2.16 milionë hektarë janë djegur vetëm gjatë këtij viti.