OKB-ja i ka quajtur “alarmante” raportet në lidhje me një vendim të mundshëm për të zgjeruar operacionet ushtarake të Izraelit në të gjithë Rripin e Gazës.

Ndihmës sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Miroslav Jenca gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku u diskutua mbi situatën në Gaza, tha se një veprim i tillë do të shkaktonte pasoja katastrofike dhe se mund të rrezikonte më tej jetën e pengjeve të mbetura në Gaza.

“Raportet e fundit në lidhje me vendimin e Benjamin Netanyahut për të zgjeruar operacionet ushtarake të Izraelit përmes Rripit të Gazës, nëse janë të vërteta janë tejet alarmante”, tha ai duke shtuar se “kjo do të rrezikonte pasoja katastrofike për miliona palestinezë dhe mund të rrezikonte më tej jetën e pengjeve të mbetura në Gaza”

Më tej nënvizoi se e drejta ndërkombëtare është e qartë në këtë drejtim; Gaza është dhe duhet të mbetet një pjesë integrale e shtetit të ardhshëm palestinez.”