Bashkimi Europian ka ofruar 1 milion euro fonde dhe rreth 130 ton pajisje si ndihma humanitare për Afganistanin, që është goditur nga një tërmet shkatërrimtar që ka shkaktuar mbi 1400 viktima.
Fondi 1 milion euro është miratuar për të adresuar nevojat më të ngutshme të popullsisë së prekur. Ndërsa 130 ton pajisjet përfshijnë materiale të domosdoshme si çadra dhe pajisje strehimi, veshje, furnizime mjekësore dhe materiale për pastrimin e ujit.

Dërgesat do të transportohen në Kabul përmes dy fluturimeve humanitare të financuara nga BE, të cilat pritet të mbërrijnë brenda kësaj jave.
BE-ja ka aktivizuar gjithashtu shërbimin satelitor Copernicus, për të krijuar harta emergjente që do të ndihmojnë në shpërndarjen e ndihmës.

Ndihmat humanitare të BE-së në këtë vend shpërndahen vetëm përmes organizatave partnere, në përputhje me parimet humanitare.
Tërmeti i 31 gushtit me magnitudë 6 që goditi provincat verilindore Kunar, Nangarhar dhe Laghman të Afganistanit ka shkaktuar deri tani mbi 1400 të vdekur dhe 3124 persona të plagosur.