Nga ROLAND QAFOKU
Ndeshja e djeshme me Letoninë më gëzoi për rezultatin, por jo për mënyrën se si rrodhën 90 minutat. Nga e gjithë ajo që pashë në fushë kam nxjerrë 10 pika që mu feksën sapo arbitri vërshëlleu për mbylljen e takimit.
1.Edhe pse cilësia e lojtarëve të kombëtares është më e larta se asnjëherë, ekipi ynë vuan. Nuk ka vijimësi dhe në shumë raste loja është e tillë që të bën të mbash zemrën me dorë. Skuadra nuk është kompakte. Disa futbollistë duken se vijnë në kombëtare se thirren nga trajneri dhe kaq. Nuk kanë krijuar ende një “feeling” me ekipin dhe veçanërisht me fanellën. Dikush mund ta lidhë këtë me faktin se kombëtarja nuk të jep para, ndërsa klubi i “lan” me miliona. Atëherë po i përgjigjem vetëm me shembullin e Igli Tares. Kur e thërriste kombëtarja jonë e varfër në vitet 1997-1998, edhe biletën ai e priste vetë dhe në fushën ishte një luan. Dhe gjigandi ynë luante në Gjermani me Kaiserslautern dhe në Itali me Brescia-n, Bologna-n dhe Lazio-n përkrah yjeve Roberto Baggio, Luca Toni, Pep Guardiola, etj. Dhe jo në kampionatin iranian apo arab. Vërtetë fanella e kombëtares nuk ka para, por asnjë fanellë tjetër nuk të jep atë krenari sa ajo kuq e zi kur e ke në trup. Nuk jam i sigurtë nëse e dinë të gjithë këtë në ekipin tonë.
2.Me Letoninë fituam dhe u gëzuam, por fitorja gati nuk përfundoi e hidhur. Shpërdoruam 9 raste të pastra goli që për ne janë jashtëzakonisht shumë, aq sa të gjithë u habitëm se si nuk u zbatua rregulli i futbollit “nëse nuk shënon, do pësosh”. U duk sikur në një moment Letonia modeste na barazoi. Ky oshilacion duket edhe te statistikat: ndërsa mbajtja e topit ishte 63 për qind për ne dhe 37 për qind për Letoninë, gjuajtjet për gol ishin 13 për Letoninë dhe 7 për ne. Akoma më tej: numri i korneve ishte 4 për Letoninë dhe 2 për ne. Këto janë fakte, nuk janë opinioni im.
3.Loja jonë nuk ka ndonjë filozofi të qartë. A jemi ne një ekip mbrojtës apo sulmues? Nuk ka bir nëne që ta kuptojë dhe ti përgjigjet kësaj pyetje. Edhe me Letoninë që na duhej të ishim furtunë, u kthyem në mbrojtje sikur përballë kishim kampionët e botës. Si duhet të kuptojmë që në minutën e ‘90-të trajneri nxori nga fusha e lojës një sulmues dhe futi një qendërmbrojtës? Ecim më tej: Bëjmë pasime të panevojshme horizontale deri në mërzitje. Ka shumë pasime të vonuara dhe nganjëherë duket sikur dy apo tre futbollistë nuk sakrifikojnë fare.
4.Kombëtares sonë i mungon lojtari gol. Që nga rekordi i Erjon Bogdanit me 18 gola në 75 ndeshje, Shqipëria nuk ka patur më sulmues gol. Madje, aktualët nuk po arrijnë as Bushin, Sadikun, Salihin e Skelën me shumë më pak realizime se Bogdani. Po si mund të arrijë synime të larta një kombëtare kur nuk ka një sulmues goli dhe kur ka futbollistë që nuk mbahet mend kur kanë shënuar për herë të fundit. Defekti vijon kur arrihet t’i kërkohet llogari mbrojtësit Gjimishti përse nuk shënoi në një rast të vetëm që atij i doli rastësisht edhe pse mundësia ishte e artë. Mjaftojmë të bëjmë një krahasim me Kosovën tonë: Në 61 ndeshje Vedat Murriqi ka shënuar 32 gola. Kaq.
5.Qendra e mbrojtjes që dikur ishte pika më e fortë dalëngadalë po kthehet në makth. Pothuajse çdo sulm i Letoinisë ishte i fokusuar në qendër dhe kjo do të thotë shumë. Rikthimi i Ajetit në kombëtare është zgjedhja më e habitshme e Silvinho-s. A mjafton që ai heq topa me kokë për shkak të centimetrave që ka, kur në lojën me këmbë lë shumë hapësira, aq sa dje Gjimshiti në shumë raste i tërhiqte vëmendjen sa na tërhoqi vëmendjen edhe ne tifozëve.
6.Mesfusha është sektori më i rëndësishëm se aty shikon edhe mbrojtjen edhe sulmin. Në aspektin mbrojtës lë shumë për të dëshiruar. Mjafton të bësh krahasime me energjinë e jashtëzakonshme që tregon Qazim Laçi nga njëra anë dhe ngathtësinë e Kristian Allsanit nga ana tjetër. Asllani padyshim që është një nga talentet më të mëdha të skuadrës sonë. Është inteligjent dhe luan gati si të ishte i laureuar si profesor që krijon në fushë figura gjeometrike. Por i mungon një gjë që nuk e ka rritur mjaftueshëm veten. Skuadrën duhet ta marrë prej dore dhe të zgjidhë ndeshjen. Ai duhet të mos bëjë më pasime pa arsye duke tërhequr ekipin prapa kur i duhet ta shtyjë përpara. Edhe një gjë Kristjan: Mos thuaj “luajta se kisha dëshirë” pas ndërhyjes së rëndë të kundërshtarit. Për ne tifozët duhet të thoshe: Nuk dola nga fusha sepse për kombëtaren luaj edhe me një këmbë.
7.Armando Broja është bërë vërtetë një çështje për kombëtaren. Nuk vihet në diskutim potenciali i tij. Por kush e ndoqi ndeshjen në stadium kuptonte që në nxemje se ai vrapon pak, nuk ka më shkëlqimin e dikurshëm dhe në jo pak raste ishte i pasigurtë për të bërë edhe driblimet mw elementarë kur kishte përballë vetëm një kundërshtar. Jo më kot trajneri i Burnley-t nuk e ka grumbulluar në asnjë ndeshje në kampionat. Habia është se pavarësisht kësaj, ai me kombëtaren është titullar i padiskutueshëm. Çfarw ironie! Kur luante rregullisht ne kampionatin anglez, nuk ishte titullar me kombwtaren shqiptare. Tani që as nuk grumbullohet me ekipin Burnley, është titullar me kombëtaren. Ecim më tej akoma: Dy vjet pa shënuar gol janë shumë edhe për një sulmues të Superligës Shqiptare dhe jo më për një yll të Premier League.
8.Nëse duam të vijojmë rrugëtimin për në Botëror jemi të dënuar të fitojmë në Beograd në tetor. Rregulli i pashkruar në të tilla raste është që nuk mund të arrish një kualifikim të madh nëse nuk arrin të fitosh një ndeshje të madhe. 11 tetori mund të shkruajë historinë tonë nëse fitojmë. Por, kujdes! Mund të ndodhë gjithçka pas turpërimit që Anglia i bëri dje Serbisë në Beograd duke i shënuar 5 gola. Serbët do jenë të sforcuar për të marrë doemos fitore. Prandaj, atje në kryeqytetin serb do vendoset nëse do jemi afër finaleve të Botërorit apo do dështojmë në synimin tonë. Do jetë vërtetë një ndeshje historike. Sigurisht edhe për arsye kombëtare.
9.Deri tani duhet ti jemi mirënjohës trajnerit brazilian Silvinho për atë që ka dhënë për kombëtaren. Është nga trajnerët më të mirë dhe më rezultativë në historinë e kombëtares. Nën drejtimin e tij mbërritëm në Evropian dhe perfomanca e asaj kombëtareje është nga më të mirat në historinë tonë. Por kaq. Duket sikur Maestro Silvinho nuk ka ç’të japë më. Nuk befason, nuk suprizon, nuk rrezikon dhe kjo ka bërë të jemi një ekip aspak i freskët dhe të ketë vetëm ide të vjetra. Ka kohë që në kombëtare nuk ka më lojtarë të rinj me të cilët ai dikur rrezikonte, por arriti rezultate si me Jasir Asanin, me të cilin fitoi bast me çdo shqiptar të mundshëm kur e aktivizoi. Ndoshta kaq ishte cikli i Silvinho-s. Sa i tepruar ishte ngazëllimi i djeshëm pas ndeshjes kur festonte si një fëmijë i lumtur sepse kishte fituar 1-0. Dhe me kë? Me Letoninë. Mister Silvinho, mbaro këto eleminatore dhe boll më! Ndoshta kthimi në krye të kombëtares të një shqiptari mund ti jepte asaj më shumë grintë, identitet, zemër dhe dëshirë për shumë më pak para.
10.Ndeshje të kombëtares pa grupimet e tifozëve nuk kanë asnjë kuptim. Tifozat “Kuq e Zi” por edhe të tjertë janë zemra e kombëtares. Mungesa e tyre dje në stadium krijoi një atmosferë bosh. Sigurisht ata nuk janë engjëj prapa portës. Bëjnë edhe veprime të tepruara. Tw shëmtuara në disa raste. Por, fundja ata nuk po ndjekin Koncertin e Vjenës më 1 janar dhe që kur duatrokasin janë të detyruar të ndjekin ritmin e lëvizjeve të shkopit të dirigjentit. Megjithatë, megjithatë, pa ata ndeshja e kombëtares është një hiç. Për atmosferën e krijuar në stadium, ndeshja e djeshme më ngjalli kujtimet e titozërisë së vjetër të kombëtares kur kishte ovacione vetëm kur shënohej gol, sepse çdo gjë tjetër konsiderohej shfaqje e huaj dhe na shqetësohej udhëheqja. Dje, pas golit të Asllanit ishte qetësie deri në mërzitje. Aq sa teksa bënte punën e vetë, fotoreporti i famshëm shqiptar Armando Babani u fiksua në foto nga kolegët e vetë teksa hapte gojën për gjumë në mes të ndeshjes. Një masë e konsiderueshme tifozësh hanin fara, pinin cigare dhe rrëkëllenin ndonjë gotë plastike të mbushur me birrë, pa e vrarë mendjen se çndodhte në fushë. Për ovacione as që bëhej fjalë të kishte. Nuk e di deri në detaje konfliktin e tyre me Federatën, por bindja ime është e patundur se pa ata ndeshja i ngjan spartakiadave sportive të viteve ’80-të. Rrofshin tifozët “Kuq e Zi!
77517dda-b3ad-481f-ba5b-493624802ea9