Me rastin e hapjes së aplikimeve për pasardhësin e Altin Dumanit në krye të SPAK, ambasadori gjerman në Tiranë, Karl Bergner, vlerësoi kontributet e jashtëzakonshme të prokurorisë speciale në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ai theksoi se procesi i përzgjedhjes duhet të zhvillohet mbi bazën e meritës, pa ndikime të jashtme dhe duke garantuar pavarësinë e gjyqësorit, një kriter kyç për ecurinë e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.

“Me rastin e hapjes së aplikimeve për pasardhësin e kreut të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Ambasadori Gjerman në Tiranë, Karl Bergner, deklaroi:

“Në vitet e fundit, nën udhëheqjen e Altin Dumanit, SPAK ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Besimi i madh i popullsisë shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë në punën e SPAK e thekson në mënyrë mbresëlënëse këtë.

Procesi i nisur sot nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të zgjedhur kreun e ardhshëm të SPAK duhet të jetë transparent, i bazuar në meritë dhe i lirë nga ndikimi i jashtëm.
Pavarësia e gjyqësorit, e cila duhet të demonstrohet në procesin e nisur sot, por edhe në veprimet e përditshme të organeve ekzekutive dhe legjislative, është një kriter kyç për Gjermaninë në lidhje me sundimin e ligjit dhe nivelin e përgatitjes së Shqipërisë për anëtarësim në BE.” – thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat nga Ambasada Gjermane në Tiranë.