Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar dhe ai i Bashkimit Evropian në Prishtinë kanë takuar të enjten kryetarin e porsazgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, me të cilin, mes tjerash, kanë biseduar edhe lidhur me çështjen e konstituimit të organit ligjvënës të vendit, i cili ka nxitur polemika.

Ambasadori britanik në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, tha se e uroi Bashën për postin e tij dhe se me të u “pajtuan” se Kuvendi duhet të konstituohet plotësisht sa më parë, megjithëse as Kuvendi e as Basha nuk folën për pajtueshmëri të tillë në komunikatat e publikuara pas takimit.
“U pajtuam mbi rëndësinë e konstituimit të plotë të Kuvendit sa më shpejt që të jetë e mundur, duke respektuar çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese”, shkroi Hargreaves në Facebook.

Basha e shpalli njëanshëm të përfunduar seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës të dielën, pavarësisht se nuk u zgjodh nënkryetari i pestë dhe i fundit nga komuniteti joshumicë serb – për çfarë u kritikua nga partitë e tjera parlamentare.
Nga pesë nënkryetarët e kërkuar me Kushtetutë, katër u zgjodhën – tre shqiptarë dhe një përfaqësues i pakicave joserbe – ndërsa i pesti, nga komuniteti serb, nuk arriti t’i siguronte votat e mjaftueshme.
Kuvendi i Kosovës nuk dha shumë hollësi në njoftimin e tij për takimin e Bashës me ambasadorin Hargreaves dhe bisedën e tyre në lidhje me seancën konstituive, përveç asaj se kryetari e njoftoi ambasadorin “për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë për procesin e seancës konstituive të Kuvendit”.
Ndërkohë, më vonë, Basha shkroi në Facebook se me ambasadorin “diskutuam për zhvillimet e fundit politike në vend dhe për përfundimin e seancës konstituive të Kuvendit”.
Hargreaves tha se shpreson që ngërçi politik të zgjidhet shpejt në mënyrë që Kuvendi dhe një qeveri e re të mund ta vazhdojnë punën jetike për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Ai tha se bisedoi me Bashën edhe për rëndësinë e konsultimit të mirëfilltë me komunitetin serb të Kosovës, për të siguruar pjesëmarrjen e tyre të plotë në shoqërinë kosovare.
Kuvendi theksoi se Basha e siguroi ambasadorin se Kosova mbetet e palëkundur në mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve të vet.
Më vonë Basha e priti në zyrën e tij edhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav.
“Kryetari dhe përfaqësuesi i BE-së diskutuan lidhur me ngjarjet e fundit politike në Kosovë dhe biseduan për rëndësinë e një legjislature efektive për realizimin e politikave integruese në BE”, thuhet në një njoftim të Kuvendit në Facebook.
Oravo, në anën tjetër, shkroi në X se me Bashën bisedoi për nevojën për të respektuar proceset kushtetuese, duke siguruar institucione gjithëpërfshirëse dhe shumetnike.
Ai shtoi se “BE-ja është këtu për të mbështetur Kosovën”, dhe se formimi i komiteteve qeveritare dhe parlamentare është kyç për avancimin e Planit të Rritjes. Bllokada politike pas zgjedhjeve të shkurtit po i kushton vendit miliona euro nga Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Ndërkohë, me gjithë dyshimet lidhur me konstituimin e Kuvendit, partia e Bashës, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka ndër mend të vazhdojë përpjekjet për formimin e Qeverisë së re, pasi ajo pritet ta rikonfirmojë liderin e vet dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për kryeministër të vendit.
Këtë e konfirmoi për Radio Evropa e Lirë zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, i cili tha se një mbledhje e partisë fituese të zgjedhjeve të shkurtit do të mbahet të dielën e 7 shtatorit.
Pas asaj mbledhje, LVV-ja do ta dërgojë te presidentja e vendit, Vjosa Osmani, emrin e Kurtit për të provuar formimin e Qeverisë së re.
Megjithatë, nuk është e qartë nëse presidentja Osmani do ta mandatojë kandidatin e LVV-së për kryeministër në këtë gjendje.
Presidenca e Kosovës tha në fillim të javës se ekipi ligjor po e analizon procesin e konstituimit të Kuvendit pasi Basha e shpalli atë të përfunduar.
Ajo nuk iu përgjigj të enjten Radios Evropa e Lirë nëse janë nxjerrë përfundimet mbi procesin dhe nëse e vlerëson të konstituuar Kuvendin.
Për këtë çështje, Osmani i priti në takime Hargreavesin dhe ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Osmani tha se, në lidhje me konstituimin e institucioneve të vendit, do të veprojë “në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”.
I gjithë procesi i konstituimit të Kuvendit është përcjellë me kritika për shkelje ligjore dhe aktgjykime nga Gjykata Kushtetuese.
Një vlerësim i kushtetutshmërisë nga kjo gjykatë pritet edhe për rastin e fundit të dërguar nga Lista Serbe, e cila e konsideroi shkelje kushtetuese votimin ndaras të dy nënkryetarëve nga komuniteti joshumicë./Rel