Veto, vonesa! BE nuk e ka të lehtë marrjen e vendimeve të përbashkëta në politikën e jashtme. A mund të ndryshojë kjo?
Bashkimi Evropian është detyruar në të kaluarën të marrë vendime pa Hungarinë, duke i lënë hapësirë kryeministrit konservator hungarez Viktor Orban për një “pushim për kafe”, apo duke lëshuar deklarata përfundimtare pa praninë e tij.
Megjithatë, në politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, po bëhet gjithnjë e më e vështirë të merren vendime të përbashkëta. Sanksionet kundër Rusisë – paketa e 19-të është duke u negociuar aktualisht – duhet të miratohen nga të gjitha shtetet anëtare. E njëjta gjë vlen edhe për politikën tatimore ose pranimin e anëtarëve të rinj të BE-së, ku një vend mund të bllokojë çdo vendim me veton e tij.
Kjo “nuk është moralisht e gabuar”, i thotë DW Nicolai von Ondarza i Fondacionit për Shkencë dhe Politikë (SWP). Këto janë “fusha kyçe të sovranitetit kombëtar”. Vendeve nuk u pëlqen të bëjnë kompromise kur bëhet fjalë për interesat e tyre, shpjegon politologu që kryeson grupin kërkimor të BE-së në SWP. Në Gjermani, ky është rasti, për shembull, me politikën e BE-së ndaj Izraelit. Ondarza e konsideron problematike që Hungaria shpesh nuk interesohet për një çështje. E megjithatë, ajo përdor të drejtën e vetos për të “shantazhuar” shtetet e tjera anëtare për çështje të tjera.
Në zhargonin e BE-së, kjo quhet “veto taktike”. Orbán shpesh bllokon politikën e BE-së ndaj Ukrainës. Për shembull, rreth 6.6 miliardë euro ndihmë për Ukrainën nga Fondi Evropian i Paqes ende nuk janë lëvruar. Vendi është gjithashtu kundër anëtarësimit të mundshëm të Ukrainës në BE. Hungaria, ndër të tjera, argumenton se kjo mund ta tërheqë BE-në në një luftë me Rusinë. Por qeveria hungareze në fund të fundit ka miratuar të gjitha 18 paketat e sanksioneve kundër Rusisë deri më tani.
Sipas një diplomati të BE-së, disa vende në këtë grup duan t’i zgjerojnë diskutimet në politikën tatimore, në mënyrë që të zbusin parimin e unanimitetit edhe këtu. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri thirrje për një reformë të procesit të vendimmarrjes në fjalimin e saj për Gjendjen e Bashkimit në fillim të shtatorit për të shmangur bllokimet. Në disa fusha, BE duhet të çlirohet nga “prangat e vendimmarrjes unanime” nga 27 shtetet anëtare, tha ajo.
Ndryshimi i traktatit është i (pa)mundur
Një tjetër mundësi për të zbutur parimin e unanimitetit në BE do të ishte ndryshimi i traktateve të BE-së, për shembull në kontekstin e pranimit të anëtarëve të rinj, thotë von Ondarza. Edhe kjo do të kërkonte pëlqimin e të gjitha 27 shteteve anëtare. Politologu aktualisht e konsideron një pëlqim të tillë “politikisht të pamundur”.
Nëse shtetet anëtare zgjerojnë grupin e tyre të miqve, ato mund të ushtrojnë më shumë presion mbi vendet e tjera për të zbatuar vendimmarrjen me shumicë në një moment. Megjithatë BE-ja ndoshta do të duhet të paguajë një çmim të lartë në të ardhmen që Hungaria të heqë dorë nga vetoja e saj e fuqishme, thotë von Ondarza.
Edhe në Bruksel, Grupi i Miqve shihet si një mjet për të ushtruar presion, tha diplomatja e BE-së për DW. Hungaria është gjithnjë e më e izoluar. Komisioni Evropian po punon aktualisht mbi një plan për të përdorur asetet e ngrira ruse për të rindërtuar Ukrainën. Sipas një raporti të Reuters, Komisioni tashmë po shqyrton mënyra për të anashkaluar veton hungareze./DW