Një anketë e posaçme e Eurobarometrit për zgjerimin – bërë nga Komisioni Evropian
Komisionerja Marta Kos paraqiti, në takimin e Ministrave të Çështjeve Evropiane në Danimarkë, gjetjet më të fundit mbi qëndrimet e qytetarëve ndaj zgjerimit të BE-së. Rezultatet bashkojnë anketën e posaçme nr. 564 të Eurobarometrit për zgjerimin, të realizuar në periudhën 18 shkurt deri më 16 mars 2025, me 26 319 intervista në të gjitha shtetet anëtare të BE-së, si edhe sondazhet krahasuese të perceptimit të procesit të zgjerimit në vendet kandidate dhe potencialisht kandidate, në kuadër të programit WeBalkans, të organizuara dhe mbështetura nga Komisioni Evropian.

Çfarë mendojnë qytetarët e BE-së për zgjerimin?
Në mbarë Bashkimin Evropian më shumë se gjysma, pra 56% e qytetarëve, janë në favor të zgjerimit të mëtejshëm të Bashkimit Evropian. Në 23 Shtete Anëtare, të paktën gjysma e qytetarëve mbështesin zgjerimin, duke veçuar si vendet anëtare me mbështetjen më të madhe qytetare mes të anketuarve, Suedinë me 79%, Danimarkën me 75% dhe Lituaninë me 74%.

Mbështetja është më e lartë tek të rinjtë dhe tek qytetarët e mirëinformuar: 67% në moshat 15 deri në 24 vjeç, 63% në moshat 25 deri në 39 vjeç, 70% te të anketuarit me arsim të lartë dhe 74% e atyre që ndihen të informuar.

Qytetarët evropianë më shpesh e lidhin zgjerimin me përfitime praktike për vendin e tyre dhe BE-në, përfshirë zhvillimin ekonomik dhe konkurrueshmërinë (45%), ndikim më të fortë të BE-së në botë (37%), më shumë mundësi pune dhe fuqi punëtore të kualifikuar (31%), më shumë solidaritet (30%) dhe një Bashkim Evropian më të sigurt (30%).
Çfarë mendojnë qytetarët në vendet kandidate dhe potencialisht kandidate për zgjerimin?
Në vendet kandidate dhe potencialisht kandidate në vitin 2025, pikëpamjet janë përgjithësisht pozitive dhe gatishmëria për t’u bashkuar është e lartë.

Qytetarët e vendeve kandidate kanë një imazh pozitiv mbi BE, me Shqipërinë, ku në 82% prej tyre, BE gëzon një imazh pozitiv, Maqedoninë e Veriut me 65%, në Kosovë 64%, Malin e Zi me 60% etj.
Përfitimet më të cituara nga anëtarësimi për qytetarët e vendeve kandidate përfshijnë cilësi dhe standarde më të mira të jetesës, një të ardhme më të mirë për fëmijët dhe udhëtim më të lehtë brenda Evropës, ndërsa në Gjeorgji dhe Ukrainë theksohen posaçërisht paqja dhe siguria. Në thuajse të gjitha vendet, shumica mendon se marrëdhëniet me BE-në janë të mira.
Ndër vendet kandidate dhe potencialisht kandidate, Shqipëria është vendi më pozitiv ndaj Bashkimit Evropian, me opinionin publik që pohon në mënyrë të qëndrueshme rrugën evropiane dhe përfitimet e anëtarësimit dhe besimin e fortë tek Projekti Evropian – Bashkimi Evropian.

Më konkretisht, qëndrimi i qytetarëve të Shqipërisë për zgjerimin
Nëse do të votonin nesër, 92% e shqiptarëve do të zgjidhnin “po” në një referendum për anëtarësim, dhe 93% besojnë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian sjell më shumë përparësi sesa mangësi, duke përmendur përfitime konkrete si cilësi dhe standarde jetese më të mira (69%), kufij të hapur dhe udhëtim pa viza (41%) dhe një të ardhme më të mirë për fëmijët (39%).
Nga bisedat e përditshme te aspiratat kombëtare, shifrat tregojnë një vullnet të qartë e të palëkundur të shqiptarëve. Në shtëpi dhe në vendin e punës në mbarë Shqipërinë, 82% e shohin BE-në në një dritë pozitive, nga të cilët 44% “shumë pozitivisht” dhe 38% “mjaft pozitivisht”, dhe besimi te BE-ja mbetet shumë i lartë: 92% thonë se priren ta besojnë BE-në.
Mbështetja evropiane është e njohur dhe e dukshme, pasi 95% e shqiptarëve janë në dijeni të asistencës financiare të BE-së, 60% e identifikojnë BE-në si kontribuesin më të madh financiar të vendit dhe 59% e konsiderojnë efektive mbështetjen e BE-së, ndërsa 91% thonë se marrëdhëniet me BE-në janë të mira.

Deklaratë e Komisioneres Marta Kos
“Me rastin e publikimit të këtij Eurobarometri që mbulon të gjitha vendet kandidate, Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos tha: “Qytetarët e Evropës e shohin zgjerimin si një projekt praktik që përmirëson jetën e përditshme, forcon Unionin tonë dhe hap mundësi. Mbështetja e fortë që shohim në Shqipëri është inkurajuese. Ajo pasqyron punën e kryer dhe angazhimin e përbashkët për një të ardhme evropiane. Ne do të vazhdojmë të informojmë, të dëgjojmë dhe të mbështesim këtë përparim.”

Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj integrimit evropian dhe tërësisht e ndërgjegjshme për shansin historik për t’iu bashkuar BE-së, deri në fund të dekadës. Siç ka provuar tashmë në vitet dhe muajt e fundit vendi dhe konkretisht, me përshpejtimin e procesit të negociimit, Shqipëria po vazhdon rrugën e reformave, të përafrojë ligjet dhe institucionet me standardet e BE-së dhe të përmirësojë qeverisjen, të rrisë cilësinë e shërbimeve, të forcojë sundimin e ligjit dhe të fuqizojë ekonominë, premisa këto për progresin e dukshëm me çeljen e negociatave në 10 muajt e fundit, ku janë çelur deri tani 24 kapituj, dhe për aspiratën e madhe për të ju bashkuar familjes evropiane.
Mbështetja e fortë dhe e qartë publike, siç rezulton edhe nga gjetjet e anketës më të fundit të Eurobarometrit për zgjerimin, konfirmon vullnetin e palëkundur të shqiptarëve, dhe institucioneve për ta mbajtur integrimin evropian si përparësinë kryesore dhe energjizimin me masat e nevojshme për të ecur shpejt dhe qëndrueshëm drejt antarësimit.