Anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilirjana Kuçana, komentoi situatën aktuale politike, nisjen e sesionit të ri parlamentar dhe gjendjen brenda Partisë Demokratike.

Ajo shprehu gjatë një interviste në studion e News24 kritika të forta ndaj mënyrës se si opozita ka funksionuar në katër vitet e fundit dhe bëri thirrje për një reformim të thellë të partisë.

Duke krahasuar përbërjen aktuale të Kuvendit me figurat historike që kanë kontribuar në të kaluarën, si Dritëro Agolli, Kuçana u shpreh se niveli i parlamentit ka rënë ndjeshëm.

“Nuk jam e keqardhur që nuk jam pjesë e këtij parlamenti. Ai nuk ka as vizion, as formim, as integritet si dikur,” deklaroi ajo.

Kuçana theksoi se Partia Demokratike nuk mund të vazhdojë të funksionojë me të njëjtin model që ka ndjekur në katër vitet e fundit, duke përmendur djegien e mandateve dhe dështimet në organizim dhe strategji.

“Ne nuk mund të presim që elektorati gri të na ndjekë nëse vijojmë me djegien e karrigeve. Kërkohet një model ndryshe, një vizion i ri, figura të reja dhe një PD e ristrukturuar, e përgatitur për zgjedhjet e pjesshme dhe ato të vitit 2027,” tha ajo.

Ajo shtoi se opozita duhet të jetë aktive jo vetëm në sallën e Kuvendit, por edhe në terren, pranë qytetarëve, me protesta dhe ide të qarta politike.

Kuçana kritikoi figura të PD që, sipas saj, kanë humbur betejat elektorale, por vijojnë të mbajnë poste të rëndësishme brenda partisë, duke theksuar se largimet duhet të kishin ardhur pas humbjes si pjesë e moralit politik nga vetë personat që nuk arritën fitore në zgjedhje për partinë.

“Zoti Bardhi ka humbur në dy qarqe dhe një deputet në listën e sigurt në Fier. Nuk them që të mos jetë deputet, por nuk mund të jetë kryetar i grupit parlamentar. Kjo bie ndesh me moralin politik të PD-së,” theksoi ajo, duke shtuar se partia duhet të shkëputet nga modeli i Lulzim Bashës, ku sipas saj humbësit shpërbleheshin me poste drejtuese.

Një pjesë e rëndësishme e mesazhit të Kuçanës ishte lidhur me ndikimin që, sipas saj, figura të lidhura me fondacionet e George Soros kanë ende brenda PD-së. Ajo kërkoi që të përfshihet një nen i qartë në statut që ndalon personat me lidhje të drejtpërdrejta me Sorosin të jenë pjesë e kupolës drejtuese të PD-së.

“Nuk dua të bëj gjueti shtrigash, por PD duhet të pastrojë shtëpinë e vet. Duhet të kemi moral politik, figura me integritet dhe njerëz që nuk i shërbejnë axhendave të huaja,” theksoi ajo.