Nga Jakin Marena
Në pritje të ‘revolucionit’ të vjeshtës, e ka në mënyrë të përvitshme një pritshmëri të tillë PD, sidomos pas humbjeve të rënda në ballafaqimet elektorale, kreu demokrat Berisha si dhe mbështetësit e tij kanë vendosur ta ‘mbushin’ hapësirën e komunikimit mediatik me ‘shpalljen non grata të Xhorxh Sorosit dhe Birit” si armiq të kombit amerikan dhe opozitës në Shqipëri!
Ka shërbyer një postim i presidentit amerikan Donald Trump në platformën me bazë në SHBA “Truth Social”, sipas të cilit ‘George Soros dhe i biri i tij i majtë radikal duhet të gjykohen sipas ligjit RICO për mbështetjen e protestave të dhunshme në mbarë SHBA-në. Nuk do t’i lejojmë këta të çmendur të shkatërrojnë edhe më shumë Amerikën”, që Berisha dhe mbështetësit e tij të marrin zemër dhe të kërkojnë nga presidenti amerikan shpalljen ‘non grata’ të manjatit amerikan në SHBA. Dhe të njëjtën gjë ta bëjnë dhe me mikun e tij në Tiranë, kryeministrin Edi Rama!
Një kërkesë të tillë ndaj administratës amerikane të Trump kreu i opozitës e bën me argumentin se Soros ka fuqizuar Ramën në kurriz të opozitës dhe Berishës, anipse Berisha kur u shpall ‘non grata’, zyrtarisht s’ishte kryetar i PD dhe opozitës, pasi kishte dhënë dorëheqjen që pas humbjes rrënuese të zgjedhjeve 8 vite para kësaj ‘gjëmë’, më 2013! Por Berisha e të tijtë nuk ‘stepen’, pasi për ta rëndësi ka realiteti paralel i krijuar në kokën e tyre dhe aspak koha, datat, emrat apo situatat nëpër të cilat ka kaluar shpallja ‘non grata’ nga DASH, familjarisht, e liderit të PD!
Berisha jo pa qëllim ‘ngatërron’ kohët kur u shpall ‘non grata’ nga DASH, njerëzit që ia kopsitën dosjen, madje ‘ngatërron’ si pa dashje edhe administratën e presidentin amerikan, për kohën kur u sanksionua familjarisht për korrupsion madhor, minim të demokracisë e shantazhim e zhbërje të drejtësisë në Shqipëri! Dhe duke vendosur në krye të sulmeve njerëzit e projektuar prej tij si ‘armiq’, Berisha e mbështetësit e tij nuk kursehen në akuzat ndaj tyre, deri duke hyrë në detaje familjare, anipse nuk kanë asnjë lidhje me sanksionimin e tij nga DASH! Bëhet fjalë për zyrtarë të lartë amerikanë të administratave të ndryshme në SHBA, se në Shqipëri e ka normë Berisha, nuk lë njeri pa sulmuar, pa etiketuar dhe kërcënuar! Kur bie ndesh me interesat e tij, kuptohet!
Themi që Berisha ngatërron kohën dhe autorët që i kopsitën dosjen e ‘non gratas’ në SHBA, sepse sanksionimi i Berishës nuk filloi nën administratën e presidentit demokrat ‘sorosian’ Biden, por që në periudhën e administratës së republikanit Trump, ‘armikut’ të betuar të Sorosit. Pra ‘mikut’ të Berishës. Amerikanët i marrin me nge punët, mbajnë shënime, pastaj i hedhin në të ‘pastër’, i konfirmojnë nga të gjitha burimet zyrtare të vendit të tyre, s’kanë pak, e në fund futet në ‘xhiron’ dokumentare për firmë! Kur t’i vijë radha, dhe ajo që nisi nga ish Sekretari i Shtetit, republikani Pompeo, u firmos si ‘trashëgimi’ e tij nga pasuesi demokrat Blinken!
Më konkretisht, vendimi i sekretarit Blinken për sanksionimin e Berishës dhe familjes së tij të ngushtë u publikua në 19 maj 2021, por kjo datë është dita protokollare e publikimit të vendimit, pasi vendimi për ‘non gratën’ e Berishës kishte qënë në sirtarët e DASH, i ‘trashëguar’ i plotë e vetëm për firmë nga paraardhësit e Biden dhe Blinken. E themi këtë sepse presidenti Biden e sekretari Blinken u futën në Shtëpinë e Bardhë në janar 2021 sipas Kushtetutës amerikane, pra mbi 4 muaj para se ‘non grata’ e Berishës të publikohej. Dhe një akt i tillë as në Shqipëri, që nuk shihet asnjë dokument imtësisht për të marrë një vendim të rëndësishëm, nuk mund të përgatitej për një afat kohor prej 4 muajsh. Është një proces shumë më i gjatë. Vendimi për ‘non gratan’ ka qënë aty, Blinken vetëm sa i ka futur firmën dhe e ka publikuar. Kaq është puna!
Në fakt ishte kryeministri Edi Rama ai që në ditën e fundit të janarit 2019, pra mbi dy vite para publikimit të ‘non gratës’ nga DASH, i cili në parlament e pyeti befasisht Berishën: “A e kalon dot Oqeanin”? E bëri të mekej në fakt ish kryeministrin demokrat! Nuk besojmë se këtë vendim që në vitin 2019 Ramës ia kishte komunikuar Sorosi, pasi manjati amerikan ishte ‘armik’ me Trump dhe Pompeon, të cilët ishte respektivisht njëri president i SHBA e tjetri sekretar Shteti!
Për hir të së vërtetës, lajmin se Berisha është shpallur ‘non grata’ disa media kanë publikuar që në verën e vitit 2018, duke dhënë lajmin se supermbesës së Berishës, i ishte refuzuar viza, pasi ajo kishte aplikuar për t’u pajisur me vizë sepse kishte fituar të drejtën e studimit në një nga universitetet më të mira amerikane! Kishte aplikuar që nga Austria ku studioi për arsimimin parauniversitar. Ky ishte sinjali i parë zyrtar se Berisha ishte person i padëshiruar në SHBA familjarisht! Dhe kjo kishte ndodhur në mesin e mandatit të presidentit republikan Donald Trump! Thuhej se vizat ishin refuzuar dhe për familjarë të tjerë të Berishës, duke paralajmëruar në këtë mënyrë faktin se dosja kundër tij në SHBA ishte kopsitur me kohë dhe vakt!
Berisha e dinte fort mirë se ishte shpallur ‘non grata’, kishte burimet e tij! Ndaj deklaroi para gazetarëve fill pasi Rama e pyeti nëse e kalon dot Atlantikun, se mendimi i tij personal ishte për djegjen e mandateve të deputetit, pasi opozita nuk mund të ishte një fasadë e Edi Ramës në Parlament! Më vonë, ushtroi presion ndaj Bashës asokohe kreu zyrtar i PD që të digjte mandatet e deputetëve të opozitës, gjë që ndodhi, dhe autor ishte vetëm një, Sali Berisha, për hallin e tij personal, duke tentuar dhe destabilizimin e vendit, përmes protestave të dhunshme dhe sulmeve ndaj institucioneve me molotov. Dhe kjo ndodhi në vitin 2019, dy vite para se të publikohej vendimi i firmosur nga Blinken që e shpallte Berishën ‘non grata’ familjarisht në SHBA!
Pikërisht në këtë kohë, në verën e vitit 2019 dhe në kulmin e protestave të dhunshme të PD dhe opozitës së udhëhequr nga dyshja Berisha-Basha, zv.ndihmës Sekretari i Shtetit për Europën, Matthev Palmer kërcënoi rëndë se, nëse opozita organizon dhunë ndaj institucioneve, SHBA do ta shpallë atë organizatë të dhunshme. Pra Palmer fliste në emër të administratës amerikane të drejtuar nga presidenti republikan Donald Trump me sekretar të DASH, Mike Pompeo. Dy vite përpara se në pushtet të vinte demokrati ‘sorosian’ Joe Biden bashkë me Anthoni Blinken.
Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën, Palmer ka sqaruar dhe më vonë se përcaktimi i figurave të huaja publikisht nga Sekretari i Shtetit për përfshirje në korrupsion është një prej mjeteve që përdorin SHBA-të për të luftuar korrupsonin. I pyetur në lidhje me kohën e daljes së njoftimit për ish Presidentin Berisha, Palmer tha se koha s’ka ndonjë rëndësi të veçantë. Madje Palmer këmbënguli se Berisha abuzoi me pozitën e besimit të publikut për të pasuruar veten, për të pasuruar anëtarët e familjes së tij dhe për të pasuruar aleatët politikë dhe mbështetësit dhe për këtë arsye SHBA-të e marrin çështjen e korrupsionit publik shumë seriozisht. “Ne i qëndrojmë në krah popullit shqiptar kundër korrupsionit publik dhe përcaktimi i zotit Berisha, që e bën atë të pakualifikuar për një vizë për në SHBA, i bën anëtarët e afërm të familjes së tij të pakualifikuar për viza drejt Shteteve të Bashkuara, është një dëshmi e këtij angazhimi”, ka nënvizuar Palmer për VOA. Duke treguar qartë se ishte administrata Trump ajo që ia përgatiti me detaje dosjen e ‘non grata’ Berishës dhe familjes së tij!
Në fakt ishte dhe vetë Berisha ai që para një viti, më saktë në fillim të 2024, më në fund e pranoi se ka qënë administrata e Presidentit Donald Trump dhe e sekretarit Mike Pompeo ajo që ia përgatiti dosjen e shpalljes familjarisht ‘non grata’, por duke u munduar që të ‘seleksionojë’ personat e të gjëjë ‘armikun’ e duhur e që tani nuk i prish punë me mendjen e tij, për ta cilësuar si autori kryesor dhe i vetëm! Berisha akuzoi zv.ndihmës Sekretarin e Shtetit, Matthev Palmer si personi që përgatiti dosjen. Madje e përgatiti pa pyetur askënd në DASH, sipas Berishës dhe mbështetësve të tij, një sipërmarrje e madhe kjo për një zyrtar të rangjeve të tilla në Amerikë, të cilët nuk dalin në derë pa një aprovim nga eprorët, jo më të marrë vendime ‘tinëzare’!
Berisha këmbëngul se Palmer e bëri në kokën e vet dosjen “non grata’ kundër tij, sepse gruaja e tij ishte me origjinë serbe. Hajde merre vesh Berishën, i cili mendon se sikurse ka vepruar ai me shtetin në favor familjes dhe të fisit të gruas, edhe shteti amerikan merr vendime për hatër të fisit të gruas se Palmerit. Berisha e të tijtë vijojnë dhe sot e kësaj dite të akuzojnë si autorin e vetëm të kopsitjes së dosjes ‘non grata’ ndaj tij familjarisht, pikërisht zv.ndihmës sekretarin amerikan të shtetit Palmer, duke e lidhur atë për një ‘shërbim që i ka bërë gruas së tij me prejardhje serbe’, për të ‘sakrifikuar’ karrierën në DASH, vetëm për të ‘goditur patriotin e madh Sali Berisha’, i cili të vetmen ‘trimëri’ që ka bërë në jetën e vet ka qënë thyerja e embargos së naftës se vënë nga OKB ndaj Milosheviçit duke e furnizuar me karburant makinën ushtarake vrasëse të ‘kasapit’ të Ballkanit, që masakroi boshnjakët, shqiptarët e Kosovës e kush i doli para, si dhe shërbimin në të gjitha kohët e këqija ndaj Serbisë, sa herë që ia kanë kërkuar. Kur kanë pasur hall, me një fjalë!
Dhe meqë jemi me faktin se Palmer e kishte gruan me oriogjinë serbe, e ka pranuar dhe vetë ai se është me origjinë nga Mali i Zi’, dhe duke arsyetuar me ‘kutin’ e kryetarit të PD, i bie që Berishës ia ka ‘futur’ me ‘non gratën’ pikërisht ‘baxhanaku” i tij! E themi këtë sepse dhe vetë Berisha e ka gruan me origjinë serbe, madje njerëzit e saj në Beograd kanë qënë zyrtarët më të lartë të shërbimit sekret dhe organeve të sigurisë në Serbi në kohën e Milosheviçit dhe më parë! Madje, ndër miqtë më të mirë, edhe fëmijët e Berishës kishin pikërisht Damir Fazlliçin, serbo-boshnjakun kontravers të ‘nëntokës së zezë serbe’, i cili kishte futur në dorë sigurinë kombëtare, merrte pjesë në mbledhjet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, si dhe asetet ekonomike më me përfitime në vend. Për shkak të këtij raporti të fortë me Fazlliç, edhe Britania e Madhe e shpalli Berishën familjarisht ‘non grata’!
Prandaj Berisha për ‘baxhanakun’ Palmer që i kopsiti dosjen e ‘non gratës’ në SHBA nuk ka kujt i ankohet, ‘i yti’ ta bën gjëmën! Dhe kreu i PD nuk mund të bëjë sikur nuk e njeh Palmerin, me të cilin të dy janë ‘dhëndra’ në familje me origjinë serbe, siç bëri me baxhanakun tjetër që i harroi emrin, atë që humbi jetën në punishten e vdekjes së demontimit të municioneve themi, ku akuzohet se ka qënë i biri sipërmarrës. Me të vetmin ndryshim që Palmeri ishte një shërbëtor i devotshëm e besnik i kombit dhe i shtetit të tij, SHBA, për të cilin punoi me mish e me shpirt dhe nuk bashkëpunoi me ‘fisin e gruas’ për të rrjepur shtetin, përkundër Berishës që i ka punuar qindin kombit shqiptar, duke e vjedhur, vrarë, shkatërruar, shitur e duke ia nxjerrë ‘themelet’ sa herë ka qënë në pushtet për 35 vjet. Ndaj themi se Berisha s’ka kujt t’i qahet, pasi askush nuk ia qan hallin për problemet me ‘familjarët’ e tij! Për këtë arsye, besojmë se këto përrallat me heqje ‘non grate’ nga Trump dhe goditjen e Ramës se ai paska ‘tradhëtuar’ kombin amerikan përmes bashkëpunimit me Sorosin, do të kalojnë shpejt! Berisha i ka për konsum politik këto deklarata, pasi e di se ‘non grata’ në të gjallë të tij nuk hiqet nga asnjë administratë amerikane!