Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, mendohet se është “i fiksuar” pas transferimit të Erling Haaland dhe e sheh yllin norvegjez të Manchester City si trashëgimtarin afatgjatë të Robert Lewandowskit.
Sipas mediave spanjolle, katalanasit po përgatisin një lëvizje sensacionale verën e ardhshme, edhe pse klubi vazhdon të përballet me probleme serioze financiare.
Lewandowski, tashmë 37 vjeç, pritet të largohet në fund të këtij sezoni, kur edhe i skadon kontrata, tre vite pas transferimit nga Bayern Munich. Megjithëse polaku mbetet vendimtar – siç e tregoi me dopietën e fundit kundër Valencias – trajneri i ri Hansi Flick po menaxhon me kujdes minutazhin e tij pas një dëmtimi në parasezon.
Ferran Torres ka dhënë kontribut me gola, por mbeten dyshime nëse mund ta mbajë barrën si titullar gjatë gjithë sezonit. Për këtë arsye, Laporta, bashkë me drejtorin sportiv Deco, po kërkojnë një “numër 9” të mirëfilltë, me Haalandin që është objektivi kryesor.
Emri i ish-yllit të City, Julian Alvarez, është diskutuar, por Laporta nuk ka hequr sytë nga Haaland. Problemi është se sulmuesi 24-vjeçar firmosi në janar një kontratë të gjatë 10-vjeçare me Manchester City, që e mban të lidhur deri në vitin 2034, duke hequr çdo klauzolë lirimi.
Me një pagë prej 400 mijë £ në javë, Haaland ka shënuar 111 gola në 126 ndeshje që nga transferimi i tij prej 51 milionë £ nga Borussia Dortmund në vitin 2022. Ai ka fituar dy tituj të Premier League dhe një Champions League nën drejtimin e Pep Guardiolës, ndërsa prej kohësh është lidhur me një të ardhme në La Liga, ku Real Madrid ka treguar interes të vazhdueshëm.
Barcelona nuk mundi ta përballonte atëherë, por sipas El Nacional, Laporta beson se çdo rënie në formën e City mund ta bëjë Haalandin të mendojë për një largim. Objektivi i tij i madh mbetet vera e vitit 2026.
Ndërkohë, situata jashtë fushe nuk është më e lehtë për Barçën. Rindërtimi i stadiumit “Camp Nou”, me kosto 1.25 miliardë £, ka pësuar sërish vonesa, duke detyruar klubin të zhvillojë ndeshjet në stadiumin e vogël “Estadi Johan Cruyff” me vetëm 6,000 vende, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha te tifozët.