Ish-përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, ka kritikuar ashpër reagimin e Bashkimit Evropian dhe të Perëndimit ndaj luftës në Gaza. Në një intervistë për gazetën italiane La Repubblica, Borrell u shpreh se njohja e shtetit palestinez nga disa vende perëndimore, mes tyre Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja, është një hap i rëndësishëm, por i pamjaftueshëm.

“Duhet të vendosen sanksione kundër Netanyahut dhe qeverisë izraelite, ashtu siç bëmë ndaj Afrikës së Jugut në kohën e aparteidit. Fjalët e bukura nuk vlejnë,” tha Borrell.

Ai kritikoi vonesën e BE-së për të ndërmarrë masa konkrete, duke përmendur vendimin e fundit për pezullimin e pjesshëm të Marrëveshjes së Asociimit tregtar me Izraelin. “Spanja dhe Irlanda e kërkuan këtë që në shkurt 2024, kur kishte 25 mijë të vdekur në Gaza. Sot janë 65 mijë viktima. Kjo vonesë ka kushtuar 40 mijë jetë,” theksoi ai.

Sipas Borrell-it, pezullimi i pjesshëm me ndikim ekonomik prej vetëm 220 milionë eurosh në vit është i pamjaftueshëm dhe nuk e trondit qeverinë izraelite. Ai ngre pyetjen nëse do të duhen edhe mijëra viktima të tjera për të pezulluar tërësisht marrëveshjen.

Deklaratat e Borrell-it shënojnë një tjetër thirrje për linjë më të ashpër ndaj Izraelit, në një kohë kur lufta në Gaza ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima civile dhe është kthyer në një krizë humanitare globale.

Artikulli i plotë i La Repubblica:

“Ajo që është e rëndësishme nuk është vetëm numri i vendeve të reja, dymbëdhjetë, që tani njohin Shtetin e Palestinës, por fakti që janë vende perëndimore, pra tradicionalisht mbështetëse të Izraelit, si Franca, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja”. Dhjetë muaj pas largimit nga detyra si nënkryetar dhe Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Europian për punët e jashtme, Josep Borrell, 78 vjeç, e ka agjendën plot. Dje ishte në Trento për një leksion mbi politikën dhe diplomacinë në Shkollën e Studimeve Ndërkombëtare.

Është një lëvizje simbolike apo do të ketë pasoja konkrete?

“Deri më tani fakti që shumica e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara kanë njohur Palestinën nuk ka prodhuar asnjë efekt. Duhet parë nëse konferenca e Nju Jorkut mbi njohjen e Palestinës do të përkthehet në një rrugë konkrete drejt paqes. Një gjë është e sigurt: njohja pa veprim mbetet një frazë boshe”.

Për çfarë lloj veprimesh mendoni?

“Duhet të adoptohen sanksione kundër Netanyahu-t dhe qeverisë së Izraelit, ashtu siç bëmë kundër Afrikës së Jugut gjatë aparteidit. Vetëm fjalët e bukura nuk vlejnë”.

Nëse populli palestinez meriton të ketë një shtet, dhe padyshim që e meriton, pse vendet e G7 lëvizën vetëm pas tmerreve të Gazës? A nuk shihni hipokrizi në këto njohje?

“Po, mund të interpretohet kështu. Disa vende europiane, si Franca, kanë hezituar dhe janë lëkundur gjithmonë. Është gjithashtu e mundur që katastrofa humanitare të cilës po i bëhemi dëshmitarë po i detyron qeveritë të veprojnë, të shtyra nga opinionet e tyre publike. Është tragjike të mendosh se njohja vjen me çmimin e vuajtjes së popullit palestinez”.

Pse Gjermania dhe Italia janë hezituese?

“Në përgjithësi e djathta dhe ekstremi i djathtë në Europë, si edhe vendet joliberale dhe autoritare, janë pa kushte pro-Izrael, mjafton të shohim Hungarinë. E majta priret të jetë më shumë pro-palestinezëve për arsye solidariteti dhe humaniteti. Gjermania është një rast i veçantë, si social-demokratët ashtu edhe kristiano-demokratët janë pozicionuar gjithmonë pro Izraelit për ndjenjën e fajit të Holokaustit. Megjithatë gjërat po ndryshojnë, brenda SPD-së ka nga ata që kritikojnë rolin që kancelari i mëparshëm Scholz ka luajtur në legjislaturën e kaluar. Sa për Italinë, arsyeja gjendet në ato që sapo thashë”.

Gjatë mandatit tuaj në Bruksel pse nuk keni punuar për njohjen?

“Njohja e Palestinës është një çështje kombëtare”.

Kaja Kallas, që ka zëvendësuar ju si përfaqësuese e politikës së jashtme europiane, ka thënë se ju nuk keni bërë asgjë për të ndalur masakrën në Gaza.

“Kur merr një detyrë kaq të komplikuar, është një rregull i mirë të mos kritikosh as paraardhësin, as pasardhësin. Historia do të na gjykojë të gjithëve, nuk kam ndërmend të hyj në këtë polemikë”.

Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, ka ndryshuar qëndrim ndaj Izraelit?

“Nuk më duket. Von der Leyen ka treguar gjithmonë mbështetje të pakushtëzuar për Izraelin, si një kristiano-demokrate gjermane që është, e lindur pas luftës. E kam dëgjuar publikisht të thotë “më në fund populli hebre ka arritur tokën e premtuar, ka lulëzuar shkretëtirën”. Premtuar nga kush? Të shohim pak nëse tani institucionet europiane fillojnë të ndjekin premtimet e Biblës. Unë kam punuar në një kibbutz dhe sigurisht kolonët izraelitë e punojnë tokën shumë mirë, por ajo tokë nuk ishte një shkretëtirë, aty jetonin njerëz. Ideja që i kemi dhënë “një populli pa tokë një tokë pa popull” është një nga gënjeshtrat e mëdha të Perëndimit”.

Von der Leyen, megjithatë, ka propozuar pezullimin e pjesshëm të Marrëveshjes së asociimit BE-Izrael, në kapitullin mbi shkëmbimet tregtare. Është një masë konkrete.

“Spanja dhe Irlanda e kishin kërkuar këtë në shkurt 2024. Në atë moment kishte 25 mijë të vdekur në Gaza. Tani që presidentja e Komisionit propozon të njëjtin pezullim, edhe pse vetëm pjesërisht, të vdekurit janë bërë 65 mijë. Një vonesë që ka kushtuar 40 mijë jetë. Dhe pesha ekonomike e kësaj mase për Izraelin është vetëm 220 milionë euro në vit, nuk do ta trembë Netanyahun. Pyes veten: a do të duhen edhe 40 mijë të vdekur të tjerë për të pezulluar plotësisht Marrëveshjen?”

Të njohësh Shtetin e Palestinës është një favor për Hamasin, siç thotë kryeministri i Izraelit?

“Përgjigjja tipike e Netanyahut, kushdo që e kritikon është antisemit apo mbështetës i terrorizmit. Netanyahu akuzohet për krime të rënda lufte nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, duhet të fillojmë ta shohim nga kjo perspektivë”.